Shpërthimi në gazsjellësin Lituani-Letoni, zbulohet shkaku

Shpërthimi që ka ndodhur në një gazsjellës në veri të Lituanisë, duket se ka qenë rezultat i problemeve teknike.

“Inspektimet e para tregojnë se mund të ketë problem me një kyçje”, ka thënë Nemunas Biknius, shef i kompanisë Amber Grid, që mirëmban gazsjellësin.

Si pasojë e shpërthimit të së premtes, është raportuar për zjarr në gazsjellës.

Sipas mediave të Lituanisë, nuk ka raportime për të plagosur, ndonëse banorët e fshatit në afërsi janë evakuuar për disa orë si masë mbrojtëse.

Në disa pamje në rrjete sociale, flakët kanë qenë mbi 50 metra dhe janë parë prej disa kilometrave.

Sipas kompanisë mirëmbajtëse, furnizimet me gaz janë ndaluar dhe transporti për në Letoni është pezulluar përkohësisht.

Biknius ka thënë se gazsjellësi është ndërtuar 40 vjet më parë dhe vazhdimisht u është nënshtruar kontrolleve.

Punimet për riparime në rrjet është thënë se do të nisin të shtunën dhe do të përfundojnë brenda ditësh.


Shtuar 14.01.2023 14:57