Protesta e studentëve dhe gjimnazistëve vijoi në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku të rinjtë u mblodhën për të shtatën ditë radhazi për të kërkuar ndryshime dhe për të shprehur pakënaqësinë ndaj situatës në vend.
Disa prej protestuesve folën për dhunën që, sipas tyre, kanë përjetuar gjatë përplasjeve me policinë, ndërsa ngritën shqetësime edhe për mundësitë që u ofrohen të rinjve në Shqipëri. Një gjimnazist tha se e ka humbur shpresën për të ardhmen dhe akuzoi qeverinë se nuk po krijon kushtet për një jetë më të mirë.
Të lidhura
None found
“Nuk na jep më shpresë. Duam vetëm të largohemi. Vjedh ai dhe do një të ardhme më të mirë e na shtyp ne”, deklaroi gjimnazisti.
Një tjetër i ri, që pretendon se është dhunuar nga efektivët, u bëri thirrje nxënësve të mos shkonin në mësim dhe të bashkoheshin me protestën. Ai tha gjithashtu se disa prej pjesëmarrësve janë përballur me masa për shkak të pjesëmarrjes në tubime.
“Na kanë masakruar. Shtet komunist, kriminelë. Na kanë ikur të gjithë shokët në Angli për një jetë më të mirë. Bojkotoni mësimin dhe ejani të gjithë këtu. Nuk shohim të ardhme në Shqipëri. Po nuk iku Rama edhe këtë vit, nuk ka për të ngelur më njeri. Na kanë përjashtuar nga shkolla sepse kemi dalë në protestë. Rama ka rënë ngushtë, jemi rinia ne”, u shpreh ai.
Gjatë zhvillimit të protestës, një grup efektivësh policie mbërriti në shesh dhe kreu kontrolle ndaj të rinjve.
Tubimet e studentëve dhe gjimnazistëve në kryeqytet po zhvillohen prej shtatë ditësh. Protestuesit kanë vënë në qendër të kërkesave të tyre denoncimet për dhunë gjatë përplasjeve me policinë, kundërshtimin ndaj qeverisë dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen në Shqipëri.






