Shkaktuan 1 mln euro dëm përmes mashtrimit me fatura fiktive, Prokuroria Tiranë kërkon “arrest me burg” për dy persona

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar “arrest me burg” për dy persona, të cilët akuzohen se lëshonin fatura fiktive duke i shkaktuar shtetit 1 milionë euro dëm.

“Më datë 21.04.2024, prokuroria kërkoi masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj 2 shtetasve Loren Dobi (administrator) dhe organizatori shtetasi Sandi Koçibelli (Specialist Taksash në Drejtorinë e Borxhit, në Administratën Tatimore) të lidhur ngushtë me subjektin fiktiv “AL-Dor””, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë.

Pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhoma penale, të dy personat janë shpallur në kërkim.

Hetimet

Nga analizimi dhe studimi i të dhënave të shoqërive objekt hetimi, rezulton se ato kanë funksionuar si furnizues, të cilët kanë lëshuar fatura fiktive duke mos kryer asnjë blerje dhe duke mos ushtruar në asnjë moment aktivitet ligjor.

Faturat fiktive janë injektuar në mënyrë direkte në shoqëri tregtare që operojnë në fusha të ndryshme, në vlerën totale prej 320,608,000 lekë, duke i shkaktuar shtetit një dëm finaciar në TVSH dhe TF (Tatim Fitimi), afërsisht 1 milion euro.

Akuzat

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të lidhur ngushtë me subjektin Al-Dor, kanë konsumuar elementë të vepres penale “Skemë Mashtrimi në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe “Bashkëpunimit”, parashikuar nga nenet 144/a dhe 25 e Kodit Penal.

Gjithashtu dyshohet se në këtë skemë kriminale mashtrimi janë të përfshirë edhe persona dhe subjekte të tjera, si dhe funksionar të administratës shtetrore, për të cilat vazhdojnë hetimet dhe veprimet proçedurale për të dokumentuar të gjithë veprimtarin kriminale.