Shefi i NATO-s: Askush nuk e di sesa mund të zgjasë lufta në Ukrainë

Pas rreth katër javë luftimesh në Ukrainë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të vazhdojë me vite. Zoti Stoltenberg tha se “askush nuk e di se sa mund të zgjasë lufta”. Ndërkohë një raport i Ministrisë britanike të Mbrojtjes njofton për mundësinë e rënies së moralit të forcave ushtarake ruse dhe ukrainase.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të vazhdojë me vite dhe kërkoi që furnizimi me armë për Kievin të vijojë, edhe nëse “kostot do të jenë të larta”, siç theksoi ai.

Në një intervistë të botuar të dielën në revistën e përjavshme gjermane “Bild”, Sekretari Jens Stoltenberg tha se “askush nuk e di” sesa mund të zgjasë lufta.

“Ne duhet të përgatitemi që lufta të zgjasë me vite. Ne nuk duhet të heqim dorë nga mbështetja e Ukrainës edhe nëse kostot janë të larta, jo vetëm në raport me mbështetjen ushtarake, por edhe për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve”, theksoi ai.

Pas katër muaj luftimesh të ashpra në Ukrainë zyrtarët britanikë të mbrojtjes thonë se morali i ushtarëve si rusë dhe ukrainas është në rënie.

Sipas një raporti të Ministrisë britanike të Mbrojtjes ushtarët rusë po refuzojnë urdhrat, si dhe ka patur raste të përplasjes së dhunshme mes oficerëve.

Ndërkohë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, pas një vizite në Mykolaiv dhe Odesa përgjatë Detit të Zi, tha se ushtria ukrainase do vazhdojë të mbrojë jugun e vendit.

“Ne nuk do t’ia japim jugun askujt, do të kthejmë gjithçka që është e jona dhe deti do të jetë i Ukrainës dhe i sigurt”, theksoi zoti Zelenskyy.

“Humbjet janë të konsiderueshme. Shumë shtëpi janë shkatërruar, gjithçka është shkatërruar, por ne do të rindërtojmë gjithçka që u shkatërrua”, shtoi ai.

Qyteti industrial lindor i Sievierodonetskut, një objektiv kryesor në ofensivën e Moskës për të kapur kontrollin e plotë të Luhanskut, një nga dy provincat që përbëjnë Donbasin, u bombardua me artileri të rëndë dhe me raketa, njoftoi ushtria ukrainase.

Analistët e Institutit për Studime mbi Luftën me bazë në Uashington, shkruajnë se “forcat ruse ka të ngjarë të jenë në gjendje të kapin Sievierodonetskun në javët e ardhshme, por me koston e përqendrimit të shumicës së forcave të tyre të disponueshme në këtë zonë të vogël”.

Serhiy Gaidai, guvernatori i Luhanskut tha se të gjitha pretendimet ruse se ata kontrollojnë qytetin janë një gënjeshtër. “Ata kontrollojnë pjesën kryesore të qytetit, por jo të gjithë qytetin”, tha ai.

Në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, që shtrihet në veriperëndim të Luhanskut, ministria ruse e mbrojtjes tha se raketat e saj “Iskander” kishin shkatërruar depo armatimesh.

Armët e rënda të furnizuara nga Perëndimi po arrijnë në vijat e frontit në Ukrainë. Por udhëheqësit e këtij vendi vazhdojnë të këmbëngulin për më shumë armatime dhe sa më shpejt të jetë e mundur./VOA

Shtuar 19.06.2022 16:55