SHBA shprehet e gatshme për të diskutuar me Rusinë për trupat afër Ukrainës

Sekretari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan i ka thënë homologut të tij rus, Yuri Ushakov se Uashingtoni është i gatshëm për t’u angazhuar në diplomaci rreth pozicionit të trupave ruse afër Ukrainës, mirëpo secili dialog duhet të zhvillohet në përputhje me aleatët dhe partnerët në Evropë.

Sullivan ka biseduar përmes telefonit me Ushakov, në kohën e rritjes së tensioneve në Evropë për shkak të pranisë së rreth 100,000 trupave ruse afër kufirit me Ukrainën.

Rusia e mohon se kjo prani flet për pushtim potencial të Ukrainës, mirëpo e pranon se forcimi i marrëdhënieve mes Ukrainës dhe NATO-s, shihet me shqetësim.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki ka thënë se Sullivan “e ka bërë të qartë se secili dialog duhet të bazohet në reciprocitet dhe duhet të adresojë shqetësimet tona për veprimet e Rusisë, dhe se duhet të zhvillohet në koordinim të plotë me aleatët tanë evropianë”.

Moska ka prezantuar javën e kaluar një listë të temave që dëshiron të negociojë, përfshirë premtimin se nuk do të ketë zgjerim të NATO-s në lindje, ashtu sikurse kufizim të aktivitetit ushtarak të aleancës veri-atlantike në Evropën Lindore, përfshirë bashkëpunimin me Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

Psaki e ka përsëritur pozicionin amerikan se kombet sovrane kanë të drejtë të zgjedhin aleancat e tyre dhe se marrëdhënia e NATO-s në Ukrainën “është çështje vetëm e Ukrainës dhe 30 vendeve tjera anëtare”.

Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, Ushakov i ka thënë Sullivanit se Moska është e gatshme që të nisë bisedimet për garanci në siguri dhe se Rusia do të përfaqësohej në këto bisedime nga zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov.

Ryabkov ka thënë se Moska ende nuk ka marrë përgjigje nga SHBA-ja./REL


Shtuar 21.12.2021 10:46