SHBA goditet nga tornadot, disa viktima dhe shumë dëme

Një person ka humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur shkaku i një stuhie që bëri që çatia e një teatri në Illinoi të SHBA-së të shembej.

Rreth 260 persona ishin brenda teatrit Apollo, kur çatia u rrëzua në orën 19:55 sipas kohës lokale, tha departamenti lokal i zjarrfikësve.

Shefi i zjarrfikësve, Shaën Schadle, u tha gazetarëve se 28 persona u dërguan në spital, ndërsa pesë prej tyre ishin në gjendje të rëndë.

Një seri tornadosh të fuqishme u regjistruan në disa shtete amerikane të premten, duke lënë të vrarë të paktën katër persona në vend.

Dëme të shumta u raportuan në pjesën e jugut dhe të perëndimit. Shtetet e Arkansasit dhe Misurit shpallën gjendje të jashtëzakonshme. Dhjetëra mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike.

Një tornado e madhe e goditi kryeqytetin e shtetit të Arkansasit, Little Rock, duke rrokullisur makina, thyer çati dhe rrëzuar pemë. Të paktën 24 persona u plagosën, sipas kryebashkiakut të qytetit.

Guvernatorja e shtetit, Sarah Huckabee Sanders, konfirmoi vdekjen e dy personave në qytetin Wynne, rreth 170 kilometra larg kryeqytetit.

Më shumë se 40 tornado u raportuan në gjashtë shtete të premten mbrëma, sipas Qendrës amerikane të Parashikimit të Stuhive.

Disa fluturime në Aeroportin Ndërkombëtar të Çikagos O’Hare u shtynë ose u anuluan pasi pasagjerët u këshilluan të strehoheshin diku shkaku i motit të “rëndë”.

Ky grumbull i tornadove vdekjeprurëse vjen vetëm një javë pasi një tornado në Misisipi vrau 26 njerëz.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e vizitoi Misisipin të premten për të shprehur ngushëllimet e tij dhe për të premtuar ndihmë federale. /REL


Shtuar 1.04.2023 09:23

Tags: ,