Rusia paralajmëron shtim të tensioneve në Ukrainë

Rusia ka deklaruar se çdo furnizim me raketa me rreze të gjatë veprimi për Kievin nga Franca dhe Gjermania, mund të çojë në një “raund të mëtejshëm tensioni” në luftën në Ukrainë.

The Guardian raportoi të dielën se zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se dërgimi i raketave me rreze të gjatë mund të ndërrojë rrjedhën e luftës.

“Ne tashmë kemi nisur të shohim diskutime për dërgesa nga Franca e Gjermania të raketave me rreze veprime prej 500 kilometra ose më shumë. Kjo është një armë krejtësisht e ndryshme që do të çojë, le të themi, në një raund tjetër tensioni”, ka thënë Peskov.

Britania e Madhe, muajin e kaluar u bë vendi i parë që furnizoi Ukrainën me raketa lundrimi me rreze të gjatë

Ndërsa, Kievi zyrtar i ka kërkuar Gjermanisë raketa lundrimi Taurus, të cilat kanë rreze veprimi prej 500 km, ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se Franca do t’i japë Ukrainës raketa me rreze veprimi “që lejojnë atë të kryejë kundërsulmin e saj të shumëpritur”.


Shtuar 4.06.2023 18:28