Revolucion në Kupën e Italisë, ndryshon formati për ta luajtur vetëm Seria A dhe B

Liga e Futbollit Italian ka vendosur të ndryshojë formatin e Kupës së Italisë, për të afruar më shumë sponsorë e për të rritur shikueshmërinë e një turneu i cili në momentin aktual nuk e ka një gjë të tillë. Edhe zhvillimi me një ndeshje i sfidave nuk ka sjellë efektin e pritshëm, për faktin e thjeshtë që duelet e ekipeve të mëdha luhen kur sezoni është në mes dhe ato nuk kanë aq shumë interes sa sfidat e kampionatit.

Për këtë arsye, në një mbledhje që është zhvilluar sot, është shqyrtuar ideja e ndryshimit të formatit dhe shumë shpejt pritet të miratohet një gjë e tillë. Plani që është bërë nga Liga Italiane është ai i zhvillimit të turneut vetëm për klubet e Serisë A dhe Serisë B, të cilat kanë më shumë shikueshmëri.

Pritet që aktiviteti të luhet që në gusht me 12 prej skuadrave të Serisë A si pjesëmarrëse që në turin e parë, për të shtuar shikueshmërinë që në start duke përfshirë emrat e rëndësishëm sa më shpejt të jetë e mundur. Zhvillimi i sfidave të tilla që në muajin gusht, do të shtojë shikueshmërinë e turneut por edhe dhe mund t’u shërbejë klubeve të Serisë A dhe B për të përgatitur kampionatin më mirë se me ndeshjet që disa prej tyte ishin të detyruara të luanin me klube të Serisë C.


Shtuar 5.05.2021 21:56