Gjatë zhvillimit të “Foltores së Ripërtëritjes” së Partisë Demokratike në Elbasan, kreu i kësaj force politike, Sali Berisha, kritikoi gjendjen ekonomike dhe sociale në vend. Ai akuzoi qeverinë për vjedhje, bashkëpunim me krimin e organizuar dhe largimin e qytetarëve nga Shqipëria.
Berisha tha se Shqipëria ndodhet përballë një etape të rëndësishme historike, ndërsa regjimi në pushtet, sipas tij, po përjeton një “shpërbërje të turpshme”.
Të lidhura
None found
“Jemi në momentet më të veçanta në historinë tonë kombëtare. Jemi në momentet e shpërbërjes së turpshme të një regjimi i cili qeverisi këtë vend i bazuar në vjedhjen e qytetarëve, krimin e organizuar, përzënien e tyre nga vendi”, deklaroi Berisha.
Një pjesë të fjalës së tij ai ia kushtoi kushteve ekonomike të pensionistëve, duke pretenduar se një numër i madh prej tyre nuk arrin të mbulojë as shpenzimet më të domosdoshme.
“Sot pensionistët nuk blejnë dot ilaçet. Mbi 600 mijë pensionistë janë me pensione të pjesshme, me pensione me të cilat nuk marrin dot as dy javë ushqime pa ndihmën e familjarëve”, u shpreh kreu i PD-së.
Ai e lidhi gjithashtu rënien e lindshmërisë me shpenzimet e larta për rritjen e fëmijëve dhe me çmimet e banesave, të cilat, sipas tij, janë bërë të papërballueshme.
“Për të rritur një foshnje në vitin e parë, kërkon 66% të rrogës, ndaj kemi rënie të lindshmërisë, qeratë kanë kapur nivelin e rrogës mesatare. Janë bërë mollë të ndaluara apartamentet për qytetarët”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, rritja e kostove të jetesës po godet më fort pensionistët dhe të rinjtë, duke ndikuar edhe në shpopullimin e vendit.
