Raportohen shpërthime pranë spitaleve të Gazës

BBC raporton se gjatë orëve të fundit ka pasur shpërthime pranë disa spitaleve në Gaza. Ende nuk dihet nëse ka viktima.

Bëhet fjalë për spitalet Al-Shifa, kompleksin më të madh mjekësor në Gaza, Al-Quds dhe Spitalin Indonezian, sipas agjencisë së lajmeve Reuters duke cituar mediat palestineze.

Në kanalin e tij Telegram, Hamasi ka publikuar një video për të cilën pretendon se ishte një sulm ajror izraelit pranë Al-Quds. Ai publikoi gjithashtu fotografi të një ndërtese të shkatërruar, duke pretenduar se ishte prapa Spitalit të Kuvajtit.

BBC nuk ka mundur ende të verifikojë në mënyrë të pavarur fotot dhe videon dhe i ka kërkuar  Forcave të Mbrojtjes të Izraelit të konfirmojnë nëse kanë nisur sulme ajrore mbi objektivat në ato zona.

Nga ana tjetër, një mjek në spitalin Al-Shifa ka treguar për programin Newshour të BBC-së për kushtet e rënda me të cilat po përballen. Intervista e tij është bërë disa orë më parë, përpara shpërthimeve të fundit të raportuara pranë Al-Shifa, e cila është qendra kryesore mjekësore e zonës.

Spitalit i kanë mbaruar fashat për të mbuluar plagët, si dhe mjetet e tjera për të rregulluar frakturat, thotë Dr Ghassan Abu Sittah.

“Shpërbërja e sistemit vazhdon. Kemi ardhur gjithnjë e më shumë të plagosur,” thotë ai.

Shqetësues është edhe furnizimi me energji elektrike, veçanërisht për pacientët që janë në terapi intensive.

“Pa energji elektrike ky spital është vetëm një varr masiv”, thotë ai.

Stafi i spitalit po punon me turne 16 deri në 18 orë, ndërsa shqetësohet për sigurinë e familjeve të tyre, shton ai./Albeu.com


Shtuar 23.10.2023 07:47