Ramës nuk i del inati, ironizon Dritan Lelin: Hedhja e plehrave në Pyllin e Sodës është kthyer në fenomen arkeologjik

Kryeministrit Edi Rama vijon sulmet indirekte ndaj kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli.

Në takimin me kryetarët e bashkive të mbledhur në bregdetin e Durrësit, Rama tha me sarkazëm se hedhja e plehrave në pyllin e Sodës është kthyer në një fenomen arkeologjik.

“Një muaj tek Pylli i Sodës e vijon pastrimi. Nuk kanë të mbaruar plehrat. Plehrat në Pyllin e Sodës kanë 30 vjet. Jemi duke pastruar një territor ku hedhja e plehrave është kthyer në fenomen arkeologjik. 30 vjet nuk ka shkuar këmbë njeriu nga bashkia e Vlorës të pastrojë Pyllin e Sodës.

Është më e tmerrshme se, sa më thellë të futesh në pyll aq më shumë ndeshesh me plehrat. Që do të thotë që edhe kur kanë bërë sikur kanë shkuar i kanë marrë plehrat e shtyrë më thellë. Ky është një moment që duhet ta kthejmë në një moment oportuniteti. Është e paimagjinueshme. Prandaj të bashkojmë forcat. Të gjithë duhet të bëjmë çmos që në radhë të parë secili të bëjë të vetën. Sepse kusurin më të madh e kanë këtu individët që e bëjnë të pamundur” tha Rama.

Kujtojmë se pak ditë më parë Rama ishte atje për të qenë pjesë e aksionit të pastrimit të Pyllit të Sodës, ku para tij kishte shkuar në po të njëjtin vend edhe Dritan Leli./albeu.com/