Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një mbledhje me Grupin Parlamentar të PS-së dhe anëtarët e qeverisë. Takimi është planifikuar në orën 10:00 dhe do të mbahet në Pallatin e Brigadave.
Një prej çështjeve kryesore që pritet të diskutohet është koncepti “Prania Besnike”, i prezantuar si një formë e re e organizimit të socialistëve në terren.
Të lidhura
None found
Sipas këtij koncepti, deputetët, drejtuesit politikë dhe strukturat vendore duhet të jenë vazhdimisht pranë qytetarëve, për të identifikuar shqetësimet e tyre dhe për të ndjekur problematikat e evidentuara.
Mbetet e paqartë nëse Edi Rama do të bëjë të ditur gjatë mbledhjes edhe thirrjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, praktikë e ndjekur zakonisht pas takimeve të këtij lloji.
Po aq e pasigurt është nëse në këtë mbledhje do të paralajmërohen ndryshime në përbërjen e qeverisë.
Një ditë më parë u zhvillua mbledhja e parë e qeverisë për këtë sezon. Gjatë saj u bë e ditur se ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, kishte paraqitur dorëheqjen, pasi kishte qëndruar thuajse një vit në këtë post.
