Rama nuk kursehet: Berisha e Meta duan t’i vënë flakën Shqipërisë, Luli fle!

“Njëherë thotë çajini xhamat, shpojini gomat, pastaj del edhe thotë të kundërtën. Njëher shfaqet si radikal esktremist, njëher si djalë i mirë, varet si është kurdisur…”

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish Opozitën nga Saranda. I ndodhur në një takim elektoral në qytetin bregdetar, Rama tha se ish-kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti Ilir Meta janë të gatshëm ta djegin Shqipërinë edhe njëherë nga e para.

Ndërsa Partia Socialiste, sipas Ramës kërkon që ta shndërrojë në një kampione turizmi, duke përmendur këtu aeroportet për të cilat ka nisur puna. Për kryedemokratin Basha, Rama tha se ai është një kryetar që fle gjumë kudo, që njëherë shfaqet si një djalë i edukuar dhe njëherë si radikal ekstremist.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Çfarë udhëheqësi është Lulzim Basha, që përveçse fle në këmbë dhe flet si një pllakë gramafoni, nuk ka asgjë në dorë. Një kukull e kurdisur, ndërsa udhëheqësit real të asaj opozite janë Saliu dhe Iliri, ata që morën peng aeroportin, ata që janë gati të djegin Shqipërinë për të arritur synimet e tyre. Janë ata që i bashkon një ankth i madh, një pasiguri e madhe e humbjes përfundimtare të influencës së tyre mbi proceset e vendit, e mbi të gjithë mbi procesin e drejtësisë.

Këtë e di gjithë Shqipëria, i madh e i vogël, këtë e dinë edhe demokratët. Me të mbyllur kontratën me aeroportin e Vlorës, ne do të lancojmë kontratën për aeroportin e Sarandës. Pa diskutim që do të jetë një tjetër histori e vështirë suksesi. për pak ditë ne hapim aeroportin ndërkombëtar të Kukësit. Investimet në Aeroportin e Rinasit do të nisin me një ritëm krejt tjetër.

Do të kemi terminalin e ri, pistën, që garantojnë udhëtimet transoqeanike, që të shkojmë e vijmë direkt nga Amerika. Gjatë mandatit të tretë këto aeroporte, së bashku me portet e reja turistike, kemi një hartë komplet tjetër të Shqipërisë, me një mundësi tjetër për të rritur numrin e turistëve, por edhe nivelin konsumator të tyre. Ne sot jemi në kushtet kur e kemi kaluar fazën e mesjetës në menaxhimin e një pasurie të madhe në një sektor super strategjik si energjia.

Tani me investimet e reja e të mëdha ne do të mund të kthehemi në eksportues neto të energjisë, që do të thotë se nuk do të eksportojmë më kur nuk kemi shi, se me ndërtimin e Skavicës, ne do të kemi rezervën e ujit, por as nuk do të derdhim më ujë, kur kemi shi, duke sjellë përmbytje.

Ne kemi bërë gabime, por ama është e sigurt se në këtë periudhë prej një mandati e pak dhe një lufte që vazhdon ne kemi vendosur standarde në të gjitha sektorët. Luli mund të flejë kudo, unë kam qenë me të. Kam treguar barsoletat e dynjasë që mos ma zinte gjumi, se shkoi shumë vonë. Ai mund të flejë në shtëpi, në makinë, pa problem fare. Ku ka një vend të mbështesë kokën, ai fle.

Madje më besoni edhe kur është duke folur, ai fle, sepse ka mësuar të flasë në gjumë, ndaj është komplet i papërgjegjshëm në ato që thotë. Njëherë thotë çajini xhamat, shpojini gomat, pastaj del edhe thotë të kundërtën. Njëher shfaqet si radikal esktremist, njëher si djalë i mirë, varet si është kurdisur.

 


Shtuar 9.04.2021 16:53