Rama: Nuk ishte faji i Policisë për aksidentin me 4 viktima dhe vrasjet në Velipojë, ky është rasti kur efektivët gabuan

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit ka komentuar ngjarjet e fundit në vend.

Në lidhje me aksidentin me 4 viktima në Vlorë dhe vrasjet në Velipojë Rama tha se nuk është faji i policisë. Nga ana tjetër për rastin e Sarandës, ku gjatë një sulmi me armë mbeti i plagosur një turist dhe një biznesmen  kryeministri u shpreh se përgjegjëse është policia pasi ka lënë hapur lokalet jashtë orarit të lejuar.

“Kush janë këta pronarë lokalesh në zonën bregdetare, që në mënyrë të hapur shkelin ligjin, kalojnë kufitrin e orës policore, krijojnë hapësirë abuzimi që degjeneron deri në krisma dhe plagosje në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur aty në lokal. Kush janë këta? Jua them unë. Janë tutorët e policisë së shtetit, janë korruptuesit dhe abuzuesit më të mëdhenj me uniformën e policisë së shtetit. Ata i kthejnë shefat e komisariateve në rojë të aktivitetit të tyre të paligjshëm. Rasti Sarandës ishte një rast alarmant, dhe e kam ndarë këtë me Çuçin dhe Veliun, që ai rast duhet të çonte në ndëshkimin penal të të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë.

Kush e mban përgjegjësinë për nxjerrjen e armëve dhe sakatimin e njerëzve në lokal  në 1 të natës, përveçse ata që e kanë lejuar që ai aktivitet të lejohet. Një sfidë ndaj ligjit dhe ndaj qytetarit të mirë, kjo shkelje ligji në mes të qytetit. Unë nuk mund të hyj tek ata që akuzon Policinë e Shtetit se një i çmendur shkel gazin dhe sakaton njerëz të pafajshëm në rrugë apo se dy palë futen në një konflikt që degjeneron në shkrehje karikatorësh në trupat e tyre në mes të natës. Por ama nga ana tjetër nuk mund të ndahem nga i gjithë opinion publik, ku Policia e Shtetit, e Sarandës lejon një arenë zhurme, ahengu, shëmtie pas mestatës që mbaron me plumba”, tha Rama./albeu.com


Shtuar 8.07.2021 10:34