Kryeministri Edi Rama, ka përcjellë nga Nju Jorku një mesazh të fortë kritik ndaj Shteteve të Bashkuara dhe ish-presidentit amerikan Joe Biden, për mënyrën se si është trajtuar çështja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjatë mbrëmjes gala të zhvilluar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, Rama tha se SHBA-të kishin mundësinë të ndërhynin më shumë për të parandaluar nisjen e procesit që përfundoi me dënimin e Thaçit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Të lidhura
None found
Duke folur për ish-presidentin amerikan Joe Biden, kryeministri shqiptar deklaroi se Thaçi ishte “tradhtuar” nga një shtet që, sipas tij, duhej t’i kishte dhënë mbështetje më të madhe.
“Hashim Thaçi nuk është me ne këtu, sepse ky vend e tradhtoi. Joe Biden, që e emërtoi ‘George Washingtonin e Kosovës’, e tradhtoi. Edhe pse Gjenerali Clark dhe disa miq të shkëlqyer amerikanë bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin”, u shpreh Rama.
Rama sqaroi se me fjalën “tradhti” nënkuptonte bindjen e tij se Shtetet e Bashkuara duhej të kishin bërë më shumë për ish-drejtuesit e UÇK-së, veçanërisht duke mos lejuar që procesi të niste.
“Jam i sigurt që ky vend mund të kishte bërë më shumë, së pari duke mos lejuar që kjo farsë të niste”, deklaroi ai.
Ndërkohë, kreu i qeverisë shqiptare shprehu mirënjohje për gjeneralin amerikan Wesley Clark, duke vlerësuar kontributin e tij personal në mbështetje të Kosovës.
Rama e veçoi këtë rol nga kritikat e tij për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me çështjen e Hashim Thaçit.
