Qeveria ka miratuar sot ndryshime në vendimin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Duke folur për mediat, Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se ndryshimet në VKM 419 parashikojnë heqjen e skemës së dëmshpërblimit me 8 këste të barabarta për një pjesë të përfituesve.
Ai theksoi se të gjitha pagesat me vlerë deri në 1 milion lekë, dëmshpërblimi do të kryhet menjëherë me këstin e radhës. Malaj tha ndër të tjera, se do të bëhet shlyerja e plotë e 6000 dosjeve për pesë vite, nga 10360 që janë në total.
Të lidhura
None found
“Në mbledhjen e sotme të qeverisë, miratuam një ndryshim në VKM 419, që lidhet me dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Financave konsistojnë në heqjen e dëmshpërblimit të 8 kësteve të barabarta. Kemi marrë vendimin që për të gjithë ato pagesa që janë deri në vlerën deri në 1 milionë lekë, do të bëhet pagesa me këstin e rradhës. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve të propozuara, Ministria e Financave parashikon që brenda 4-5 viteve të bëjmë shlyrjen e plotë të 6000 dosjeve nga 10360 që janë në total.
Këto ndryshime kanë disa avantazhe të tjera. E para lidhet me pjesën e procesimit të pagesave që do të jetë më i shpejtë. Nëse sot kemi një procesim pagesash nga kësti në këst që varion nga 3.5 deri në 4 vjet, me ndryshimet e propozuara, koha e pagesave mes kësteve, do të shkurtohet nga 2 deri në 2.5 vjet Këto ndryshime do të sjellin nevojën për të shtuar fondin për dëmshpërblim ndaj ish të përndjekurve politikë, që për vitin 2026, është në masën 1.5 miliardë lek ose 15 milionë euro. Pra ndryshimet e propozuara, jo vetëm që do të rrisin eficencën e pagesave për ish të përndjekurit politikë, por nga ana tjetër do të përmbushim edhe një detyrim moral që kemi ndaj kësaj kategorie dhe familjarëve të tyre” tha Ministri Malaj.
