Qëlloi me armë zjarri në selinë e PD-së në Laç, arrestohet Van Rica

 Policia e Shtetit ka arrestuar ditën e sotme, Van Ricën, autori që qëlloi me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në selinë e PD-së në Laç.

Kujtojmë që ngjarja ndodhi në një mbledhje të kandidatëve të primareve dhe kryesisë së PD-së në Kurbin, ku pas një debati mes autorit dhe nënkryetarit të PD në këtë njësi, Kastriot Marku, Rica ka qëlluar me pistoletë në ajër.

“Molla e sherrit” kanë qenë anëtarësimet e reja, pasi Rica kërkoi që të shtoheshin votuesit, ndërsa Marku e kundërshtoi.

Pas ngjarjes autori iku në drejtim të paditur, ndërsa është arrestuar ditën e sotme dhe po merret në pyetje nga policia e Kurbinit.

Mësohet se Rica është punonjës në një kompani private në Laç dhe po ashtu përfaqësues i PD-së.

Njoftimi i policisë:

Kurbin/Qëlloi me armë zjarri, gjatë një konflikti, arrestohet 53-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të veprimeve për konfliktin e ndodhur pasditen e djeshme, në zyrën e degës lokale të një subjekti politik, ku njëri prej anëtarëve ka qëlluar me armë zjarri, kanë vijuar kontrollet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim V. R.

Si rezultat i kontrolleve, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit V. R., 53 vjeç, banues në Kurbin, punonjës i SHPSF-së.

Ky shtetas, gjatë takimit për zgjedhjet primare, të zhvilluar nga dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin, pas një debati, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të derës dhe më pas është larguar.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”./albeu.com

Van Rica