Policia e Tiranës, ka njoftuar se ka arrestuar 16 persona pas protestës së mbajtur të martën para Ministrisë së Arsimit. Për ngjarjet gjatë tubimit janë proceduar penalisht edhe 49 persona të tjerë.
Sipas policisë, gjatë protestës janë dëmtuar gjashtë efektivë, si pasojë e gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovë të hedhur drejt tyre.
Të lidhura
None found
Në njoftimin zyrtar thuhet se tubimi u zhvillua më 13.10.2026, rreth orës 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit. Disa pjesëmarrës të maskuar dyshohet se hodhën sende të forta, pllaka guri, kapsolla, kokteje molotovi dhe objekte të tjera në drejtim të policisë, institucioneve shtetërore, subjekteve private dhe hapësirave publike.
Si pasojë, u dëmtuan kangjellat rrethuese, muret dhe dritaret e Ministrisë së Arsimit, si dhe kangjellat përgjatë trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore.
Brenda një institucioni mikrofinanciar u thyen dhe u dogjën sende, ndërsa u dëmtua edhe fasada prej xhami e një banke të nivelit të dytë.
Policia bën me dije se në rrugën “Ded Gjon Luli” u thye me forcë njëra prej dyerve të godinës së Bashkisë Tiranë dhe iu vu zjarri katit të parë.
Efektivët e angazhuar në shërbim, sipas njoftimit, u përballën me akte të përsëritura dhune përgjatë tubimit, përmes hedhjes së gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovë nga grupe protestuesish të maskuar. Gjashtë punonjës policie mbetën të dëmtuar.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës dhe pas veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë K. V., 41 vjeç; F. B., 48 vjeç; A. B., 40 vjeç; G. I., 57 vjeç; E. K., 32 vjeç; I. S., 38 vjeç; B. K., 59 vjeç; D. V., 55 vjeç; E. Z., 30 vjeç; H. B., 52 vjeç; O. V., 35 vjeç; Xh. P., 27 vjeç; K. M., 23 vjeç; B. Gj., 31 vjeç; K. H., 38 vjeç dhe K. A., 32 vjeç.
Ata akuzohen për “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Për të njëjtat ngjarje, 49 shtetas të tjerë janë proceduar penalisht.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në dhunën ndaj policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private. Hetimet synojnë gjithashtu dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të kryera gjatë tubimit të 13.10.2026. Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.







