Prefektura e Vlorës ka bërë të ditur bilancin zyrtar të zjarrit që përfshiu Potamin, në lagjen “1 Maj” të Himarës, duke raportuar dëmet, numrin e personave të evakuuar dhe operacionin e zhvilluar për shuarjen e flakëve.
Flakët nisën më 4 shtator, rreth orës 19:20, në një zonë me shkurre dhe ullishte, ndërsa zjarri u shua tërësisht më 5 shtator, rreth orës 16:30.
Të lidhura
None found
Bilanci i dëmeve përfshin 2 banesa të banuara dhe 3 të pabanuara, të cilat u dogjën, si dhe një sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj. Zjarri shkaktoi dëmtime edhe në linjat e furnizimit me energji elektrike dhe ujë.
Gjatë situatës u evakuuan përkohësisht 36 persona. Një shtetase, e asfiksuar nga tymi, mori trajtim mjekësor dhe u largua më pas nga spitali.
Për përballimin e zjarrit u mobilizuan Forcat e Armatosura, MZSH, Policia, shërbimi zjarrfikës, strukturat e bashkisë, vullnetarë dhe shërbime të tjera mbështetëse. Në dispozicion të operacionit u vunë forca dhe mjete të shumta, mes tyre edhe dy helikopterë Cougar.
Të dhënat e Prefekturës së Vlorës bëjnë me dije se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar qëllimisht. Për këtë ngjarje janë shoqëruar 3 shtetas, të dyshuar për zjarrvënie.
Pas punës së ekipeve të OSHEE Vlorë dhe SHAUK Vlorë, gjatë pasdites u rikthye furnizimi me energji elektrike dhe ujë për abonentët që ishin prekur.
