Bilanci i Ministrisë së Mbrojtjes për situatën e zjarreve, i referuar orës 20:00 të 5 shtatorit, tregon se gjatë ditës janë evidentuar 21 vatra. Prej tyre, 11 vijojnë të jenë aktive, 5 mbahen nën mbikëqyrje dhe 5 janë shuar.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 587 forca operacionale vendore dhe 52 automjete zjarrfikëse. Në terren ndodhen gjithashtu 550 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 7 automjete zjarrfikëse. Ndërhyrja nga ajri është kryer me 4 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor.
Të lidhura
None found
Në qarkun e Fierit mbeten aktive vatrat në Drizë/Radostinë, Vadhizë, Peshtan dhe Levan. Për shuarjen e tyre po punojnë 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë, 90 forca të Policisë së Shtetit dhe 104 forca ushtarake. Operacioni mbështetet nga një helikopter dhe një avion Air Tractor.
Në Shkodër, zjarri në Bardhaj nuk është neutralizuar ende. Në aksion janë përfshirë 5 automjete zjarrfikëse, strukturat vendore, si dhe Forcat e Armatosura, të cilat kanë vënë në dispozicion një automjet zjarrfikës dhe një helikopter.
Operacioni vijon edhe në zonat Lundre dhe Madhesh të Matit, ku janë angazhuar edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në Himarë, zjarri në lagjen “1 Maji” është shuar pas ndërhyrjes së forcave vendore, strukturave të Policisë dhe vullnetarëve. Në këtë operacion morën pjesë 26 automjete zjarrfikëse, 183 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse dhe 2 ambulanca, si dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, flakët kanë djegur 6 banesa, 3 prej të cilave ishin të banuara, ndërsa 36 persona janë evakuuar.
Në Dajt raportohet një vatër aktive, për menaxhimin e së cilës janë angazhuar 30 forca vendore dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Vatra në Qinami po monitorohet dhe, sipas të dhënave, nuk kërcënon zonat e banuara.
Vatra aktive janë raportuar edhe në Vajkal, Mallunxë–Lis, Gallatë, Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, Krastë të Elbasanit, Iballë dhe Krepse. Në zona të tjera po vijon mbikëqyrja e situatës. Ndërkohë, zjarret në Mavrovë të Selenicës dhe në malin “Partizan” në Berat janë shuar.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek zhvillimet në të gjithë vendin, në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Forcat dhe mjetet operacionale vijojnë të jenë në terren ose në gatishmëri për ndërhyrje, ndërsa prioritet mbetet ruajtja e jetës së njerëzve, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
