Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas rasteve të dhunës së ushtruar nga efektivë të Policisë së Shtetit gjatë protestave të ditëve të fundit, duke bërë me dije se janë konstatuar dy raste të tejkalimit të kompetencave. Ai njoftoi se dy punonjësit e policisë janë pezulluar nga detyra, pas verifikimeve të kërkuara nga strukturat përkatëse.
Përmes një reagimi, Demo bëri të ditur se është njohur me rastet përmes pamjeve të publikuara në media dhe rrjetet sociale, ndërsa falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për marrjen e masës së pezullimit të dy efektivëve.
Të lidhura
None found
Ministri theksoi se, përgjatë tri ditëve të fundit, Policia e Shtetit është përballur me një situatë të vështirë.
Megjithatë, Demo nënvizoi se reagimi i forcave të rendit duhet të jetë proporcional dhe brenda kufijve të përcaktuar nga ligji. Sipas tij, çdo shkelje e konstatuar nga punonjësit e policisë do të hetohet dhe do të marrë ndëshkimin e merituar.
“Ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që, të motivuar politikisht, dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat të cilat tejkalojnë kompetencat e ligjit”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se profesionalizmi i Policisë së Shtetit nuk matet vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari.
Në reagimin e tij, Demo iu drejtua edhe prindërve të të miturve që marrin pjesë në protesta, duke u kërkuar të bisedojnë me fëmijët e tyre dhe të mos lejojnë që ata të përfshihen në akte dhune.
Në përfundim, ministri siguroi qytetarët se rendi dhe siguria publike do të garantohen, ndërsa përsëriti se çdo shkelje e ligjit, përfshirë ato të kryera nga punonjësit e policisë, do të trajtohet sipas procedurave ligjore.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, u shpreh se gjatë tre ditëve të fundit Policia e Shtetit është përballur me një situatë të vështirë, ku forca të errëta kanë përdorur militantë, mercenarë dhe, çfarë është më e keqja, minorenë, duke i nxitur ata drejt akteve të dhunës ekstreme ndaj Policisë, institucioneve dhe bizneseve e pronës private.
Demo tha se ka kërkuar përgjatë gjithë kohës që përgjigjja e Policisë të ishte proporcionale dhe të mos tejkalonte asnjëherë caqet e vendosura nga ligji, ashtu siç ka kërkuar hetim dhe ndëshkim për çdo dhunues e shkelës të ligjit.
Ministri nënvizoi se profesionalizmi i Policisë së Shtetit matet jo vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari. Për këtë ai u shpreh se ka qenë dhe është shumë i qartë dhe çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar në përputhje me ligjin.
Demo bëri thirrje edhe për prindërit e minorenëve që marrin pjesë në aktet e dhunshme, duke i kërkuar që të flasin me fëmijët e tyre dhe të mos i lejojnë ata të përdoren nga politika e mbrapshtë, e as të edukohen me idenë se rruga për të fituar kalon nëpërmjet dhunës.
Në fund, ministri i siguroi të gjithë qytetarët shqiptarë se shteti i së drejtës do të triumfojë dhe se siguria dhe rendi publik do të garantohen.







