Policia shqiptare merr udhëzimet nga Britania, kërkohen emrat e krerëve të 9 grupeve të trafikantëve

Policia shqiptare ka marrë udhëzime nga homologët britanikë, lidhur me disa emra të njohur të grupeve kriminale.

Bëhet fjalë për 9 krerë të grupeve të mëdha të trafikantëve.

Ata pretendohet se janë zbuluar dhe identifikuar nga ana e Policisë dhe e shërbimeve sekrete britanike. Nuk dihet se sa prej tyre drejtohen nga shtetas shqiptarë, por bëhet me dije se janë dërguar disa emra personash për verifikime të mëtejshme nga Policia jonë.

Policia e Shtetit mësohet se ka nisur kërkimet për këta persona për t’i identifikuar jo vetëm si emra, por edhe për të parë nëse janë me precedent të mëparshëm kriminal.

Sipas të dhënave saktësohet se Policia Kriminale dhe Zyra e Antitrafiqeve e kanë bazuar hetimin kryesisht te materialet që u jepen nga partnerët britanikë në lidhje me identitetet e personave që ata kanë zbuluar si pjesë e rrjetit që kryen kontrabandimin kundrejt pagesës që varion nga 3 deri në 20 mijë paund.