Policët më të mirë janë ekonomistët

Tom Wainwright, në botimin e tij tejet interesant “Narconomics”, përdor ekonominë ((e)conomics) për të përshkruar dhe për të kuptuar trafikun e përbotshëm të narkotikëve (narco(s)).

Libri është shkruar si një punë hulumtuese e informacionit, por edhe i investigimit në terren, të zinxhirit të narkotikëve nga “prodhimi në fushë” te shpërndarja e deri te konsumatori.

Duke ndjekur zinxhirin nga mbjellja në vendet e Amerikës së Jugut, por jo vetëm, deri në tregjet kryesore të konsumit në shtetet e pasura të veriut, autori e shpjegon këtë aktivitet, duke e përqasur me parimet dhe funksionimin e zinxhirit të furnizimit, konkurrencës përkundrejt marrëveshjeve të fshehta, çështjeve të administrimit të burimeve njerëzore, marketingut dhe françizës, novacionit dhe tregtisë online e deri në diversifikimin në tregje të tjera.

Koncepte të cilat janë më se të natyrshme të përdoren e ndiqen në studimin e bizneseve të ligjshme, nuk janë të pavlefshme edhe për “biznesin” e prodhimit e trafikimit të drogës, apo të tjera të ngjashme me të. Pra, ku qarkullon paraja (kapitali) dhe përfshihen faktorë prodhimi (lëndë e fuqi punëtore), parimet dhe mekanizmat që drejtojnë aktivitetin duket janë të njëjta.

Ajo që dallon është klasifikimi në i ligjshëm apo i paligjshëm në bazë të kritereve ligjore, apo të etikës shoqërore e morale në fuqi, në një kohë të caktuar dhe në një territor gjeografik të caktuar. Në të njëjtën logjikë, autori përpiqet të hedhë dritë me arsyeshmërinë dhe efektivitetin e politikave të kontrollit e të ndalimit të këtij trafiku, që përdoren sot nga qeveritë.

Kujtojmë që historia e shoqërisë njerëzore njeh mjaft debate të tilla, ku ngërthehen arsyetimet ekonomike me ato morale e etike, duke arritur në përfundime për të cilat vijon të jetë në dilemë. Pothuaj 90 vite më parë, në 1933, në SHBA, Kongresi hoqi ndalimin mbi prodhimin, transportimin dhe shitjen e pijeve alkoolike.

Në dekadat e fundit, një tjetër fushatë masive e ndalimit të konsumit të duhanit në ambiente publike të mbyllura, e shoqëruar edhe me fushatë edukuese mbi dëmin shëndetësor që shkakton, ka pakësuar ndjeshëm konsumin, pa u ndërmarrë ndalime e masa drastike mbi prodhimin dhe tregtimin e tij.Ndërsa “Ndalimi” ishte i vështirë të gjente zbatim dhe u shoqërua me prodhim dhe shitje të paligjshme, rritje të dhunës së bandave e krimeve të tjera të lidhura me këtë aktivitet, arsyet pro tij ishin nga ato të moralit e të besimit, deri në nevojat për të orientuar përdorimin e drithërave në prodhimin e ushqimeve e jo të alkoolit.

Në ballafaqimin e argumenteve ekonomike me ato etiko-morale, një tjetër variabël i rëndësishëm rezulton të jetë edukimi.

Mbi një hulli të tillë argumentesh, autori i “Narconomics” zhvillon mendimin e tij mbi “biznesin e dogës” dhe sfidon politikat e shteteve, të sintetizuar në titullin e kapitullit të fundit “Përse ekonomistët janë oficerët e policisë më të mirët” (i perifrazuar në titullin e këtij shkrimi-recensë).

Autori shqyrton ngjashmëritë goditëse ndërmjet menaxherëve të zakonshëm dhe mafiozëve, duke filluar nga dhimbja e kokës për burimet njerëzore deri në kërcënimin që krijojnë shitësit me pakicë online.

Ai hedh dritë edhe mbi katër gabimet e mëdha që kanë penguar përpjekjet e zyrtarëve për të trajtuar industrinë e drogës.

Gabimi 1: Obsesioni me ofertën. Sa herë që lufta drejtohet fuqishëm kundër ofertës, sidomos te prodhuesi, rritja e çmimit si pasojë e rënies së prodhimit nuk shoqërohet domosdoshmërisht me frenim të konsumit, pasi kërkesa për drogë duket se ka natyrë joelastike.

Për rrjedhojë, kartelet përdorin fuqinë e tyre blerëse për të detyruar prodhuesit të absorbojnë çdo rritje kostosh. Që politika e goditjes së ofertës të ketë efekt, ajo duhet të përqendrohet në fundin e zinxhirit furnizues, te bota e pasur, ku produkti ka mjaft vlerë dhe nëse konfiskohet, mund të shkaktojë njëfarë dëmi të ndjeshëm për shitësit e drogës, si dhe nevojitet të kombinohet edhe me luftën kundër kërkesës.

Gabimi 2: Kursimi i parave në fillim, për t’i paguar më vonë. Në luftën kundër krimit, duke e justifikuar me parullën se “siguria publike nuk ka çmim” dhe marrjen e përkrahjes popullore në këbim, paratë harxhohen për përforcim, por jo për parandalim. Shkurtimet e fondeve në programet e edukimit dhe të rehabilitimit të shkelësve të ligjit për figura krimi që lidhen me drogën, mund të kursejnë disa para, por nuk sjell efektivitet në luftën kundër trafikut të drogës.

Autori citon studime që kanë vlerësuar se për 1 milion dollarë të shpenzuar si fond për luftën kundër ofertës në vendet e origjinës në Amerikën Latine, reduktimi i konsumit të kokainës në SHBA është vetëm 10 kg, e mund të rritet në 20 kg, nëse lufta do të zhvillohej në rrugëtimin e kokainës drejt tregut të konsumit.

Në të kundërt, financimi i programeve të parandalimit të zhvilluara në shkolla arrijnë të reduktojnë konsumin me 25 kg, rezultat që rritet në pakësim prej 100 kg i konsumit nëse fondi 1 milion dollarësh shpenzohet për programe trajtimi të personave të varur nga droga. Trajtimi është dhjetë herë më efektiv sesa përndjekja. Prandaj autori thekson se është koha që bujaria e qeverive me policinë dhe koprracia e tyre për zhvillim, të ndërrojë kah.

Gabimi 3: Veprimi në shkallë vendi kundër një biznesi global. Ndërsa biznesi i drogës sot zhvillohet pa kufi, përpjekjet për ta penguar atë zhvillohen kryesisht brenda kufijve shtetërorë, pa menduar shumë se ç’ndodh përtej kufirit.

Këtë situatë, autori e tipizon me terminologjinë amerikano-latine “efekti i furrtareve”, sipas të cilit droga mund të luftohet me sukses në një vend, për t’u shfaqur në një tjetër. Nëse kartelet e drogës janë tashmë biznese globale, nuk ka një autoritet ndërshtetëror për kontrollin e tyre.

Gabimi 4: Ngatërrimi i ndalimit me kontrollin. Autori nxjerr në pah përmasat e frikshme të rritjes së biznesit të drogës, duke ritheksuar dilemën nëse ndalimi është vërtet qasja më efektive për ta vënë atë nën kontroll, për të nxjerrë kartelet nga ky biznes dhe për të mbrojtur publikun.

Prej vitit 1998, kur Kombet e Bashkuara hodhën parullën “Një botë pa drogë: mund t’ia arrijmë”, prodhimi dhe konsumi janë shumëfishuar, pavarësisht fondeve të mëdha të përdorura nga qeveritë për të imponuar ndalimin. Prandaj sugjeron autori, ka ardhur koha të përdoret “një gamë mënyrash” për ta trajtuar këtë “industri”.

Pa dashur të arrijmë në përfundime shteruese mbi mënyrat më të dobishme e përshtatshme për të trajtuar biznesin e drogës, qartazi përfitimet do të ndihen në ato vende ku shteti dhe institucionet e tij janë të fortë, veprojnë me integritet dhe përgjegjshmëri.

Shtetet me organizim të dobët strukturor e institucional, ku padyshim futet Shqipëria, me shumë gjasë do të korrin më shumë frytet e hidhura dhe të helmëta të legalizimit apo përdorimit të “gamës së mënyrave” për trajtimin e drogave, të lehta apo të forta, sesa përfitimet e shumëpërfolura teorike. /Monitor