Pjesë e një bande kriminale në Spanjë, arrestohet 30-vjeçari në Vlorë

Policia ka arrestuar një 30-vjeçar në Vloë, i cili kërkohet nga autoritet spanjolle.

Xhuliano Hajrulla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid dhe akuzohet si pjesëtar i një grupi kriminal në Spanjë, që merret me kultivimin e marijuanës.

Ky grup ka përdorur shtëpi dhe ndërtesa industriale për kultivimin e kësaj bime dhe 30-vjeçari dyshohet si personi që merrej me transportimin e materialeve dhe kultivimin e plantacioneve.

Në total, ky grup kriminal llogaritet se ka vjedhur vazhdimisht energji elektrike, duke i shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit spanjoll.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht si pjesëtar i një grupi kriminal me aktivitet kultivimin e bimëve narkotike të llojit marijuanë, në Spanjë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Escape”.

Në kuadër të këtij operacioni, si rezultat i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tirana, u kap në vendin e quajtur “Albano Romina”, Vlorë, dhe u arrestua përkohësisht, shtetasi:

-Xh. H., 30 vjeç, banues në Vlorë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, pasi Gjykata Qendrore e Instruksionit në Spanjë, me vendimin e datës 01.02.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Grup kriminal” dhe “Mashtrim në fushën e energjitikës”, parashikuar nga legjislacioni penal spanjoll.

Shtetasi Xh. H. akuzohet si pjesëtar i një grupi kriminal në Spanjë, që merret me kultivimin e marijuanës. Ky grup ka përdorur shtëpi dhe ndërtesa industriale për kultivimin e kësaj bime dhe shtetasi Xh. H. dyshohet si personi që merrej me transportimin e materialeve dhe kultivimin e plantacioneve. Në total, ky grup kriminal llogaritet se ka vjedhur vazhdimisht energji elektrike, duke i shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit spanjoll./albeu.com