Përjashtimi i Berishës dhe referendumi në PD, Këlliçi: S´mund të cënojmë raportet me SHBA

Rreth 30 anëtarë të kryesisë së FRPD, nga 40 që ka ky forum, i kërkuan zyrtarisht Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi dhe kreut të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka të thërrasin një referendum për vendimin mbi përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar.

Por në kërkesën e depozituar ka munguar firma e kreut të FRPD, deputetit Belind Këlliçi, i cili është një prej deputetëve që i ka dalë në krah kreut demokrat Lulzim Basha.

Këlliçi ka zgjedhur tu drejtohet anëtarëve të PD me një mesazh, ku i kërkon të ruajnë qetësinë.

“Është një nismë e anëtarëve. Nuk ka pasur mbledhje. Kjo është një çështje e jona e brendshme që do marrë përgjigje”, shprehet Këlliçi për mediat. Por sipas tij, PD duhet të ruajë të pacënuar marrëdhëniet me SHBA, ndërsa kërkon një reflektim nga gjithkush.

Këlliçi thekson se PD nuk duhet të humbë asnjë anëtar të saj.

Ndërkohë nesër ish-Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar nisjen e një turi takimesh me anëtarësinë e PD. Turi nis në Tiranë dhe sipas informacioneve në takimin që pritet të mbahet nesër në orën 18:00 do të jenë të pranishëm anëtarësia e degëve 1, 3 dhe 5 në Tiranë.

Kreu demokrat Lulzim Basha ka shmangur komentet lidhur me debatet e nisura në PD, por ka shprehur keqardhjen e tij për ashpërsimin e gjuhës dhe akuzave që i janë drejtuar nga ish-Kryeministri./albeu.com


Shtuar 15.09.2021 18:14