Përhapja e Delta Plus në Kosovë, të hënën dërgohen në Gjermani edhe mostra tjera

12 raste pozitive me variantin Delta Plus janë konfirmuar dje në Kosovë, pas testimit të 70 mostrave në një laborator në Gjermani. Të hënën do të dërgohen edhe mostrat e dy javëve të fundit për testim atje.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimi drejtuar mediave.

“Nga 70 mostra, të dërguara ditë më parë për sekuencionim përmes projektit të ECDC në laboratorët Eurofin, Gjermani, sekuencionimi është bërë në 59 raste, prej të cilave në 12 raste (20.33%) është detektuar varianti Delta Plus (AY.4-like) dhe në 47 raste është detektuar varianti Delta (79,66%),

IKSHPK planifikon që të hënën më 15.11.2021 të dërgojë mostrat e tjera pozitive me SARS-CoV-2 të mbledhura gjatë dy javëve të fundit, përmes të njëjtit projekt, me qëllim të mbikëqyrjes virologjike të varianteve të SARS-CoV-2 në qarkullim në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Ministria ka bërë thirrje që të zbatohen vendimet e Qeverisë për masat anti-Covid, si dhe të vaksinohen.

“Duke pasur parasysh akoma numrin e lartë të personave aktiv që mund të bartin infeksionin dhe të panjohurat për shpërndarjen e shpejtë të COVID-19, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithëve që t’i zbatojnë vendimeve të fundit të Qeverisë dhe të bëhet monitorimi i vazhdueshëm i masave me një dinamikë të shtuar të kontrollit nga ana e Inspektorateve dhe Policisë së Kosovës për të pasur efekt në uljen e lakores epidemiologjike dhe në uljen e numrit të vdekjeve.

Gjithashtu, i bëhet thirrje qytetarëve që ende nuk janë vaksinuar që ta bëjnë këtë sa më parë me qëllim të mbrojtjes nga secili variant i SARS-COV-2 dhe arritjen sa më të shpejtë të imunitetit me vaksinën kundër Covid-19 duke u vaksinuar plotësisht”, thuhet në komunikatën e MSh’së./Gazeta Express


Shtuar 11.11.2021 08:45