Përfundon raundi i ri i bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel pa takim trepalësh

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nuk kanë zhvilluar takim trepalësh me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të martën në Bruksel.

Bislimi u takua dy herë me Lajçakun dhe tha se takimi trepalësh me Petkoviqin dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

Ai nuk shpjegoi se çfarë kërkesash shtoi pala serbe për ta kushtëzuar pjesëmarrjen në takim trepalësh.

“Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen.

Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare”, tha Bislimi.

Në takimin dypalësh me Lajçakun, Bislimi tha se temë kryesore ka qenë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të implementimit në Ohër, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023.

“Tema kryesore në takim me Lajçakun ka qenë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të implementimit në Ohër. Kemi folur edhe për atë se deri ku kemi mbërritur me disa marrëveshje të tjera dhe ku kemi hasur në probleme”, shtoi ai.

Për herë të fundit, Bislimi dhe Petkoviq u takuan në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat.

Bislimi e ka akuzuar atëkohë palën serbe se dëshiron vetëm zbatim të pjesshëm të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Petkoviq ka thënë se pala kosovare nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja Bazë, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e këtij asociacioni, është arritur në shkurt të vitit të kaluar, por nuk ka gjetur zbatim.

Sipas burimeve në BE, në takimet e sotme pritet të diskutohen hapat për zbatimin e saj.

Këtyre takimeve u kanë paraprirë udhëtimet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë dhe në Beograd.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Përveçse në nivel kryenegociatorësh, bisedimet zhvillohen edhe në nivel politik.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar qysh në shtator të vitit të kaluar dhe të dy kanë akuzuar njëri-tjetrin për qasje jokonstruktive.

BE-ja, në anën tjetër, përsërit se dialogu është e vetmja mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve.

Ajo e ka kushtëzuar integrimin evropian të të dyja vendeve me përparimin në dialog./REL


Shtuar 17.09.2024 16:27