“Nuk kisha ambicie të bëhesha kryetare bashkie”, nga takimi me kryeministrin te sfidat e politikës, Sako flet “pa dorashka”

E ftuar në podcastin e radhës të kryeministrit Edi Rama ishte kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako.

E zhveshur nga kostumi i politikës, Sako ndau “copëza” nga fëmijëria dhe jeta e saj jashtë dyerve të bashkisë.

Kryebashkiakja, ka ndarë me kryeministrin dhe publikun edhe momentin e parë kur ka menduar që t’i futej politikës.

Edi Rama: Cili ka qenë momenti i parë i kontaktit tënd serioz ose më saktë kur ti ke menduar pa e menduar që do ishe vetë ndonjëherë pjesë e saj, por kur  ke menduar për politikën dhe çfarë ke menduar momentin e parë kur ke filluar të mendosh për politikën si një spektatore, qytetare, kalimtare?

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Dua ta filloj duke qenë e sinqertë që nuk kam pasur ambicie për të qenë kryetare bashkie.

Kryeministri Edi Rama: Jo, kjo dihet se nuk kishe ambicie që të çoi, të çoi tërmeti. Po këtu po pyes për diçka tjetër, përpara sesa të vijmë te drejtimi i bashkisë. Çfarë ke menduar për politikën? Domethënë ke menduar që është një punë e poshtër dhe?

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Më tepër indiferente sesa punë e poshtër. Pra, kam pasur një paragjykim, mendoj që është momenti tani edhe për të dhënë një model. Kur je i ri dhe të jepet një mundësi për të dhënë një model sa i takon politikës.

PJESË NGA PODCASTI

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Ka pasur momente që kam qenë në vështirësi sepse situata kur unë fillova detyrën ishe më e vështirë sesa e kisha menduar, por ajo që i kam thënë vetës është “Ani bëj punën sepse çdo gjë do gjejë vendin e vet”. Kështu që, për mua, veriu i drejtimit është vetëm puna. Kjo pastaj është, pra duke bërë punën, ke mbështetjen e njerëzve.

Kryeministri Edi Rama: Sa përshtypje të bën presioni, presioni i opinionit, presioni i grupit të interesit, presioni i vendimmarrjeve që shpeshherë bëhen të vështira për arsye nga më të ndryshmet. Të lënë pa gjumë, për shembull?

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Po varet. Në qoftë se ka një presion të pabazuar, zero, pra një media apo një.. pra që thonë fakte, të cilat unë jam shumë e qetë që nuk qëndrojnë. Presione nga grupet e interesit përpiqen që t’i dëgjoj se mbase ka grupe interesi, të cilët kanë të drejtë në atë që kërkojnë dhe përpiqem që të kem aftësinë e adaptimit të mendjes me zgjidhjet, pra të mos qëndroj kokëfortë në momente të caktuara ku realisht duhet marrë një vendim, i cili është për të mirën e të gjithëve, por të përpiqem të kem një mendje që adaptohet me zgjidhjet e reja.

Kryeministri Edi Rama: Por ndërkohë, nuk mund të harrojmë që ti, përveç këtij presioni të madh, ke dhe një presion tjetër, që është presioni i të qenit edhe nënë me dy binjakë, që kjo është një tjetër shaka e madhe e universit ndaj teje sepse universi pasi solli tërmetin dhe të vuri ty në krye të bashkisë e tani jemi tek sfida tjetër që…

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Po, është e vërtetë, kam dy fëmijë, dy djem, Tomas dhe Greg, binjakë, identikë, dhe ngjajnë shumë, të cilët janë 8 vjeç tani. Në fillim ka qenë shumë e vështirë, por me mua ka ndodhur kjo, që besoj se ndodh me çdo grua që bëhet nënë, që pasi bëhet nënë mund të mbajë akoma më shumë ngarkesë dhe përgjegjësi sesa mbante përpara se të ishte nënë. Kështu që, ata kanë qenë një, patjetër se duan kohën e vet e me radh, por kanë qenë dhe si udhërrëfyes në këtë rrugën time. Shumë vendime që marr apo shumë gjëra që bëj i kam, si me thënë, përderisa i bëj për ata duhet dhe për të gjithë fëmijët e tjerë. Pra, në qoftë se Durrësi duhet të jetë një qytet më i mirë, unë së pari e bëj për fëmijët e mi që kanë lindur dhe rriten në këtë qytet, por automatikisht e bëj për të gjithë fëmijët e qytetit, pra qoftë shkollat, qoftë hapësirat publike; një qytet më të jetueshëm dhe më të mirë.

/Albeu.com/


Shtuar 22.04.2023 08:28