“Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona”, protestuesit serbë nxjerrin pankartat në Zveçan

Qindra protestues serbë u mblodhën në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në Zveçan, për të vazhduar protestën kundër kryetarit shqiptar të komunës.

Disa protestues serbë në Zveçan ngritën pankarta, ku shkruan: “Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona”, apo “Duam paqe, jo gaz lotsjellës e shok-bomba”, raporton REL. Kosova është vënë nën presion diplomatik për të shtensionuar situatën, shkeuan REL. Bashkimi Evropian iu bashkua thirrjeve të Francës dhe Gjermanisë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri.

3 kërkesa që BE-ja ka për Kosovën:

• Zgjedhje të reja tani
• Të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në to
• Të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

“Dështimi për t’i bërë këto, do të ketë pasoja serioze në marrëdhëniet tona”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borrell. Që prej 26 majit situata në veri të Kosovës është tensionuar, pasi qytetarët serbë nisën protestat kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq./albeu.com/