Putin do të korrë atë që ka mbjellë, Rusia mund të gllabërohet nga fqinjët e saj

Nga Svitlana Morenets “Daily Telegraph

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Rezistenca e Ukrainës ndaj pushtimit të Vladimir Putinit, e ka shkatërruar idenë e pathyeshmërisë së Rusisë. Të gjithë e dinë tashmë se Rusia nuk është perandoria e pamposhtur, siç ishte përpjekur Moska që ta portretizonte veten si nga jashtë po ashtu edhe nga brenda.

Dhe ashtu siç Rusia po përpiqet që ta pretendojë Ukrainën si një territor të sajin, edhe vendet e tjera fqinje po synojnë që të gllabërojnë territore të federatës ruse, duke menduar se gjenden përpara një shansi të artë tani që lufta ka treguar se sa e dobët është ushtria ruse.

Edhe popujt brenda Rusisë janë duke pritur kohën e duhur për të ngritur krye. Kremlini duhet të jetë i kujdesshëm me promovimin e një bote, ku është e pranueshme që të rrëmbehen territore me forcë. Sepse një qasje e tillë vetëm sa fton edhe të tjerët që të bashkohen dhe të pretendojnë për vete pjesë të Rusisë.

Japonia ishte vendi i parë që e theu heshtjen e saj pas pushtimit të plotë të Ukrainës vitin e kaluar. Tokio tha se ishte “plotësisht e papranueshme që Territoret Veriore (Ishujt Kurile) të mos kthehen ende që nga pushtimi i paligjshëm i tyre nga Bashkimi Sovjetik 77 vjet më parë”.

Bashkimi Sovjetik dëboi japonezët nga këta ishuj, dhe që atëherë, të dyja vendet nuk kanë arritur të gjejnë një kompromis. Bisedimet u ndërprenë kur Putini tregoi se nuk ishte i gatshëm të lëshojë territore por vetëm të fitojë territore të reja.

Pastaj Kina nisi të prezantonte harta kur një pjesë e Siberisë dhe rajonit të Lindjes së Largët, shënoheshin si kineze. Në fakt territore të gjera kineze u aneksuan nga Rusia në shekullin XIX-të. Në pamundësi për ta rimarrë këtë territor në mënyrë paqësore, Pekini ka ndjekur strategjinë dinake të zgjerimit të ndikimit ekonomik rreth liqenit të Baikalit dhe ka blerë dhe dhënë me qira toka në mënyrë aktive pranë kufirit.

Në Poloni, pretendojnë se Rusia e pushtoi rajonin e Kaliningradit në vitin 1945, dhe se Varshava ka të drejtë ta pretendojë atë. Turqia, Azerbajxhani, Kazakistani, madje edhe Ukraina mund të kenë interesa për të konkurruar për territoret ruse.

Luftëtarët rusë që depërtuan në rajonin e Belgorodit nën flamurin ukrainas, shërbyen për Putinin si një kujtesë se edhe të tjerët mund të rimarrin “territoret e tyre”. Kievi synon që të rivendosë kufijtë e tij të vitit 1991 dhe t’i japë fund luftës.

Megjithatë, perspektiva e rusëve mërgimtarë me tanke që i kthejnë rajonet kufitare ruse në “republika kombëtare”, shihet si një shpagim i mirëpritur për krimet e Moskës në Donbass. Ndërsa Moska synon zgjerimin e kufijve të saj evropianë, autonomitë kombëtare në Rusi dhe udhëheqësit e tyre në mërgim parashikojnë dekolonizimin e Rusisë, duke ëndërruar ta ndajnë atë në 34 shtete të pavarura.

Për momentin, lëvizjet nacionalçlirimtare mungojnë për shkak të shtypjes dhe persekutimit të ashpër brenda Rusisë. Kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik, disa rajone të Rusisë shpallën sovranitetin e tyre shtetëror, por iu mbyll shpejt goja.

Këto rajone kanë kushtetuta që i cilësojë në sovranitetin e tyre si shtete të veçanta, me traktate për ndarjen e pushtetit që rregullojnë marrëdhëniet e tyre me Moskën. Këto norma janë për momentin “të fjetura”, por ato mund të aktivizohen sapo regjimi të tregojë paaftësinë e tij për ta mbajtur nën kontroll perandorinë.

Kremlini ka me të drejtë frikë për një kaskadë të mundshme lëvizjesh sovraniste në Rusi. Ekonomia ruse mbështetet tek rishpërndarja e burimeve nga rajonet në Moskë. Perspektiva për të fituar kontrollin mbi financat e tyre, mund t’i nxitë elitat lokale që të kërkojnë pavarësi.

Shkatërrimi i Çeçenisë u tregoi vendeve të tjera që u bashkuan me forcë me Rusinë, se si i trajton Moska “separatistët”. Megjithatë, Kremlini po e shfrytëzon në ekstrem popullsinë e këtyre rajoneve, duke i përdorur si mish për top njerëzit e tyre në fushën e betejës në Ukrainë.

Rajonet më të varfra në Rusi, janë ato që u prekën më shumë nga rekrutimet për këtë luftë. Tubime kundër luftës janë zhvilluar në Dagestan, Kalmykia dhe Buryatia, dhe udhëheqësit e republikave kanë folur kundër rekrutimit.

Ata thonë se po trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, në bazë të përkatësisë etnike, në krahasim me ata që banojnë në Shën Petersburg apo Moskë. Rritja e numrit të arkivoleve të dorëzuara nga vija e frontit në qytete dhe fshatra të vegjël po e shton akoma më shumë zemërimin me autoritetet në Kremlin.

Pasi të shpërthejë, lëvizja çlirimtare mund të përfshijë shumë rajone, duke i lënë regjimit vetëm ato territore të lidhura fort me narrativën ruse dhe të pavullnetshme për t’u çliruar nga sundimi perandorak.

Qeveria ukrainase beson se ambiciet imperialiste të Rusisë duhet të përfundojnë me bërjen e drejtësisë për të gjithë. Ajo i ka njohur Ishujt Kurile dhe Republikën Çeçene të Ichkeria si të pushtuara përkohësisht nga Rusia dhe i mbështet politikanët e mërguar të pakicave kombëtare ruse.

Ukraina këmbëngul se për të arritur një paqe që do të zgjasë në Evropën Lindore, trupat e Moskës duhet të largohen jo vetëm nga Krimea dhe Donbasi, por edhe nga Transnistria, Abkhazia, Nagorno-Karabaku. Kjo duket si një ëndërr idealiste, dhe gati e pamundur për t’u bërë realitet, sepse Putini nuk do të japë falas asnjë pëllëmbë tokë.

Megjithatë, Moska do të ishte e mençur që të ruante shpinën. Sepse një ditë mund të përfundojë duke korrur atë që ka mbjellë, pasi territoret ruse janë shumë joshëse për fqinjët e saj por edhe për qytetarët e saj të shtypur. /albeu.com


Shtuar 2.06.2023 09:45

Tags: