Engjëll Agalliu, është një emër i panjohur për publikun dhe biznesin shqiptar, por ai ka marrë në dorëzim një nga projektet më të mëdha të energjisë diellore të dhëna ndonjëherë nga qeveria shqiptare me kompaninë Albania Solar Power.
Një vit më parë, ai themeloi një kompani me vetëm 100 mijë lekë kapital fillestar.
Sot, ai është përfituesi zyrtar i një leje për ndërtimin e një centrali diellor me kapacitet 82 megavat në Fier, një investim që kërkon minimalisht 80 milionë euro.
Vendimi u mor dje javë nga Këshilli i Ministrave, i cili miratoi ndërtimin dhe operimin për 49 vjet të një centrali fotovoltaik në fshatin Boçove të Fierit, në emër të kompanisë Albania Solar Power.
Aksioneri i vetëm i kësaj kompanie, sipas ekstraktit të QKB-së, është vetë Engjëll Agalliu, një 40-vjeçar i lindur në Terpan të Beratit, pa asnjë histori të mëparshme biznesi apo kapitali të dukshëm.
Sipas të dhënave zyrtare, kompania Albania Solar Power, është themeluar në shkurt të vitit 2024 me një kapital fillestar prej vetëm 100 mijë lekësh.
Deri në momentin e aplikimit për këtë projekt gjigand energjetik, nuk ka asnjë aktivitet tjetër të deklaruar, as asete të regjistruara, as bilance financiare të publikuara.
Kjo ngre pikëpyetjen thelbësore: Si mund të marrë një kompani e këtij profili një leje për një investim prej dhjetëra milionë eurosh?
Sipas ekspertëve të sektorit energjetik, ndërtimi i një centrali fotovoltaik me fuqi të tillë kërkon të paktën 80 milionë euro investim, një vlerë e papërballueshme për një subjekt pa histori financiare dhe me një pronar pa pasuri të deklaruara, shkruan Kapitali.al
Mbetet e paqartë se si kompania e re ka siguruar tokën në Boçovë të Fierit, ku do të ngrihet parku diellor.
Në rastet e mëparshme, praktika më e zakonshme ka qenë marrja me qira e tokës shtetërore nga bashkitë, një proces që kërkon transparencë dhe konkurrencë.
Por nuk ka asnjë informacion publik nëse është zhvilluar ndonjë procedurë e tillë. Kjo çon në një tjetër dilemë: A është Engjëll Agalliu një prestanome?
Nëse po, atëherë pas këtij projekti mund të fshihen individë apo grupe me interes ekonomik apo politik nga biznesmenë me ndikim, deri te zyrtarë shtetërorë apo edhe sekserë që kanë kthyer tregun e energjisë në një skemë të ngjashme me atë të lejeve të hidrocentraleve një dekadë më parë.
Një detaj tjetër që e thellon misterin është e kaluara e Agalliut si punonjës në një ndërmarrje betoni që, sipas burimeve lokale, ka qenë në pronësi të biznesmenit të njohur Pëllumb Salillari.
Ky i fundit, është ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike dhe lejeve në infrastrukturë gjatë viteve të fundit.
A është Salillari pas këtij projekti energjetik? Apo po shohim nisjen e një skeme të re, ku individë anonimë përdoren për të siguruar leje, të cilat më pas shiten ose përdoren nga aktorë më të mëdhenj?
Në mungesë të transparencës dhe hetimeve institucionale, këto pyetje mbeten pa përgjigje. Por rasti i Albania Solar Power është një paralajmërim i qartë se sektori i energjisë mund të bëhet fushë e re për pazare të mbyllura dhe skema të dyshimta.
Në një vend ku janë dhënë me dhjetëra leje për HEC-e pa ndërtuar asnjë dhe ku paratë publike kanë përfunduar në projekte fantazmë, rasti i Engjëll Agalliut është shumë më tepër sesa një histori personale.
Ai është simptomë e një sëmundjeje më të thellë: mungesës së kontrollit, përgjegjësisë dhe transparencës në menaxhimin e pasurive energjetike të vendit./skyweb.al