Ngrica dhe borë, policia apel shoferëve: Si të kërkoni ndihmë nëse keni vështirësi

Si rjedhojë e reshjeve të dendura të borës dhe motit të keq,  policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes, të moderojnë shpejtësinë, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të vendosin zinxhir në akset rrugore ku ka prezencë të reshjeve të dëborës.

“Vendosni rripin e sigurimit, mos përdorni celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe ndiqni udhëzimet e Policisë Rrugore dhe të autoriteteve të tjera shtetërore.
Mos qarkulloni pa kontrolluar gjendjen teknike të mjetit, gjendjen dhe presionin e gomave përpara së të qarkulloni në rrugë me shi; ulni në maksimum shpejtësinë në rrugët ku ka prezencë të shtuar të ujit apo të borës në rrugë, rrisni ndjeshëm distancën e sigurisë midis mjeteve, nga 20% në 80%; dhe shmangni frenimin ose lëkundjen papritmas, por ngadalësoni gradualisht;

Policia Rrugore ka rritur prezencën e shërbimeve të saj në rrugë për ti ardhur në ndihmë çdo drejtuesi mjeti në nevojë.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Drejtuesit e mjeteve të mos vijonë lëvizjen në rast se hasin vështirësi në qarkullim për shkak të reshjeve të dëborës dhe shiut, por të kontaktojnë menjëherë në numrin pa pagesë 112 e në Komisariatin Dixhital për të marrë udhëzimet e nevojshme dhe për t’ju ardhur në ndihmë shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të autoriteteve të tjera shtetërore.


Shtuar 22.03.2021 12:51