Ngjarje makabër në Gjermani, e reja masakron sozinë e saj me ndihmën e një shqiptari: Arsyeja tronditëse e krimit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjermani, ku një gjermane 23-vjeçe me prejardhje nga Iraku, ka vrarë një grua që i ngjante shumë, me ndihmën e një miku.

E reja e kishte kërkuar sozinë e saj në Instagram dhe me ndihmën e mikut në fjalë e mbyti për të inskenuar vdekjen e saj, thonë prokurorët në Bavari, sipas The Guardian.

Trupi i mbuluar me gjak i një gruaje të re u gjet në gusht në një “Mercedes” të parkuar në Ingolstadt, në jug të Gjermanisë dhe viktima fillimisht u identifikua si Sharaban K., një estetiste 23-vjeçare nga Mynihu me origjinë irakiane.

Edhe pse disa anëtarë të familjes së sa Sharaban K. identifikuan kufomën, autopsia e kryer të nesërmen vuri në dyshim identitetin e vërtetë të viktimës.

Viktima në fund u identifikua si Khadidja O., një blogere algjeriane nga Heilbronn në Baden Ëurttemberg, gjithashtu ishte 23 vjeçe.

Vajzat ishin të dyja me flokë të gjata të zeza të drejta, ngjyrë të ngjashme të fytyrës, dhe me grim të dyja duken jashtëzakonisht të ngjashme, tha policia, duke bërë që mediat gjermane ta quajnë rastin një “vrasje të dyfishtë”.

Sharaban K. U ndalua më 19 gusht të vitit të kaluar në Bavari së bashku me kosovarin 23 vjeç, Sheqir K., megjithëse autoritetet nuk spekuluan publikisht për një motiv deri këtë javë.

“Hetimi na çoi në supozimin se e akuzuara donte të fshihej për shkak të një mosmarrëveshjeje familjare, dhe në atë kuptim të inskenonte vdekjen e saj”, tha Veronika Grieser nga Prokuroria e Shtetit në Ingolstadt të hënën.

Sipas policisë, Sharaban K., e cila operonte në rrjetet sociale me një numër emrash, kontaktoi disa gra që i ngjanin asaj, e kjo ndodhi një javë para vrasjes.

“Ajo u përpoq të organizonte takime me premtime të ndryshme, gjë që fillimisht ishte e pasuksesshme”, tha Grieser.

Megjithatë ishte Khadidja O. qjo që pranoi të takonte Sharaban, pasi kjo e fundit e joshi duke i ofruar kozmetikë, sipas Süddeutsche Zeitung.

Dyshohet se e reja është marrë nga banesa e saj ditën e vrasjes nga Sheqir K. dhe Sharaban K. Në pjesën e pyllit midis Heilbronn dhe Ingolstadt, dy të pandehurit dyshohet se kanë shpikur arsyen për ta nxjerrë gruan algjeriane nga makina, pastaj e rrahën për vdekje.

“Arma me të cilën është kryer krimi nuk është gjetur, por provat janë të shumta”, tha zëdhënësi i policisë Andreas Aichele për Bild.

“Viktima është vrarë me më shumë se 50 plagë me thikë, fytyrën e ka të shpërfytyruar plotësisht”, shtoi ai.

Sipas prokurorrëve, pas vrasjes, dyshja e vendosën trupin e viktimës në sedilen e pasme të një “Mercedesi” dhe u nisën për në Ingolstadt.

Autorët parkuan veturën në një zonë të qetë banimi përgjatë brigjeve të Danubit, ku u gjet nga prindërit e Sharaban K. pak para mesnatës së 16 gushtit 2022.

“Edhe pse hetimet janë duke vazhduar dhe disa dëshmitarë ende duhet të merren në pyetje, urdhër-arrestet për Sheqir K. dhe Sharaban K. u lëshuan më 26 dhe 27 janar”, tha një zëdhënës i prokurorëve në Ingolstadt.

Nëse shpallen fajtorë, të dy mund të dënohen me burgim të përjetshëm.

“Nuk ka raste të tilla çdo ditë, veçanërisht me një kthesë kaq spektakolare”, tha Aichele për Bild.

“Në ditën kur gjetëm trupin, nuk kishte asgjë që mund të na kishte përgatitur për këtë kthesë të ngjarjeve”, shtoi Aichele. /albeu.com

 


Shtuar 31.01.2023 12:24