Të hënën e ardhshme, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu pritet të udhëtojë drejt Uashingtonit për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump.
Të lidhura
None found
CNN raporton se temat kryesore të këtij takimi do të përfshijnë programin bërthamor të Iranit, një marrëveshje të re sigurie ndërmjet SHBA-së dhe Izraelit, si edhe përpjekjet për të normalizuar raportet mes Izraelit dhe Arabisë Saudite.
Në diskutim pritet të hyjë edhe një kuadër i ri bashkëpunimi mes dy aleatëve, pasi marrëveshja ekzistuese për ndihmën ushtarake amerikane ndaj Izraelit, e cila parashikon 3.8 miliardë dollarë në vit, përfundon në vitin 2028.
Po ashtu, pjesë e axhendës do të jetë edhe çështja e normalizimit të marrëdhënieve me Arabinë Saudite, që administrata Trump e ka trajtuar si një prioritet. Sidoqoftë, Riadi ka theksuar sërish se nuk do të avancojë drejt një marrëveshjeje me Izraelin pa një rrugë të besueshme për krijimin e një shteti palestinez.
Të premten, Netanyahu dhe Trump zhvilluan një telefonatë, gjatë së cilës u dakordësuan për mbajtjen e një takimi në të ardhmen e afërt. Që prej mbylljes së konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, dy udhëheqësit nuk janë takuar ballë për ballë.
