Bedri Elezi, ekspert i sigurisë, ka thënë në një prononcim për “Bota sot” se vrasjet e fundit me armë zjarri përbëjnë një alarm serioz për situatën e sigurisë në Kosovë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, mbajtja dhe përdorimi i armëve pa leje po ndikon drejtpërdrejt në shtimin e dhunës, ndaj sipas tij kërkohet një ndërhyrje e menjëhershme nga institucionet.
“Rastet e fundit të vrasjeve me armë zjarri janë një sinjal alarmi se Republika e Kosovës po përballet me sfida serioze në fushën e sigurisë publike. Posedimi dhe qarkullimi i armëve pa leje, i kombinuar me përdorimin e tyre në konflikte personale dhe kriminale, ka krijuar një situatë që kërkon reagim të menjëhershëm institucional. Megjithatë, përtej pasojave, është e domosdoshme të analizohen me sinqeritet shkaqet që po e ushqejnë këtë përshkallëzim të dhunës.
Në çdo shtet demokratik, besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë është shtylla kryesore e rendit kushtetues dhe e sigurisë kombëtare. Një shtet mund të ketë ligje moderne dhe institucione të konsoliduara, por nëse qytetari nuk beson se drejtësia vepron në mënyrë të paanshme, të shpejtë dhe të barabartë për të gjithë, atëherë dobësohet vetë autoriteti i shtetit”, ka deklaruar ai.
Elezi ka shprehur po ashtu shqetësim për rritjen e përdorimit të rrugëve joformale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke përmendur edhe raste të vetëgjyqësisë.
“Në Kosovë po vërehen zhvillime që meritojnë analizë serioze. Gjithnjë e më shumë qytetarë po u drejtohen mekanizmave joformalë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Në disa raste, pajtimet ndërmjet palëve realizohen nga imamë ose figura të tjera me autoritet në komunitet, ndërsa janë evidentuar edhe raste të vetëgjyqësisë dhe të përdorimit të dhunës si mënyrë për të zgjidhur konfliktet.
Vetë ekzistenca e këtyre mekanizmave nuk përbën domosdoshmërisht problem. Shqetësimi lind kur ato fillojnë të zëvendësojnë institucionet shtetërore dhe qytetarët humbasin besimin se drejtësinë mund ta gjejnë përmes ligjit. Pikërisht këtu duhet të shtrohet pyetja themelore: çfarë e shtyn qytetarin të mos besojë më te drejtësia?
Një pjesë e përgjigjes lidhet me performancën e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë. Hetimet e zvarritura, vendimet kontradiktore, mungesa e llogaridhënies, perceptimi për trajtim selektiv dhe dyshimet për korrupsion krijojnë bindjen se drejtësia nuk funksionon në mënyrë të barabartë për të gjithë. Një perceptim i tillë, pavarësisht nëse mbështetet ose jo në çdo rast konkret, është i rrezikshëm sepse cenon besimin publik. Në këtë pikë lind një çështje që nuk duhet të konsiderohet tabu”, ka shtuar ai.
Më tej, ai ka folur për arsyet e mundshme që mund të kenë ndikuar në rënien e besimit ndaj sistemit të drejtësisë, duke përfshirë paaftësinë institucionale, korrupsionin, por edhe mundësinë e veprimeve të qëllimshme me pasoja për sigurinë kombëtare.
“Nëse rënia e besimit në drejtësi është pasojë e paaftësisë institucionale, atëherë nevojiten reforma profesionale, ngritje e kapaciteteve dhe mekanizma efektivë të llogaridhënies.
Nëse ajo është pasojë e korrupsionit, atëherë kërkohen hetime të pavarura, ndjekje penale dhe përgjegjësi individuale.
Por nëse, në raste konkrete, provohet me prova të ligjshme se veprime të zyrtarëve publikë janë ndërmarrë me vetëdije dhe në bashkëpunim me interesa të huaja për të dobësuar besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës, atëherë çështja tejkalon korrupsionin apo keqpërdorimin e detyrës. Në varësi të fakteve të provuara, mund të lindin elemente të veprave penale që cenojnë rendin kushtetues, sigurinë kombëtare ose edhe veprën penale të spiunazhit. Kjo, natyrisht, mund të konstatohet vetëm përmes hetimeve profesionale dhe vendimeve të organeve kompetente të drejtësisë.
Për këtë arsye, institucionet përgjegjëse, duhet ta trajtojnë rënien e besimit në drejtësi jo vetëm si problem reputacioni institucional, por edhe si një indikator të rëndësishëm të rrezikut për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin kushtetues”, ka theksuar ai.
Në përfundim, Elezi ka kërkuar hapa konkretë nga institucionet për të luftuar armët ilegale dhe për të forcuar sistemin e drejtësisë, duke nënvizuar se besimi në drejtësi përbën një aset strategjik për shtetin.
“Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës duhet të intensifikojë operacionet për identifikimin dhe konfiskimin e armëve ilegale, Prokuroria duhet të ndjekë me prioritet rastet e posedimit të paligjshëm të armëve, ndërsa gjykatat duhet të zbatojnë një politikë penale të qëndrueshme dhe efektive ndaj autorëve të këtyre veprave. Paralelisht, nevojiten mekanizma më të fuqishëm për parandalimin e konflikteve, forcimin e policimit në komunitet dhe rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet.
Besimi në drejtësi nuk është vetëm një vlerë morale apo institucionale. Ai është një aset strategjik i Republikës së Kosovës. Kur ai dobësohet, krijohet terren për drejtësi paralele, vetëgjyqësi, rritje të dhunës, radikalizim, manipulim nga aktorë të jashtëm dhe cenim të rendit kushtetues.
Prandaj, matja periodike e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë duhet të konsiderohet një indikator i rëndësishëm i sigurisë kombëtare.
Çdo rënie e vazhdueshme e këtij besimi duhet të shoqërohet me analiza të thelluara, reforma institucionale, llogaridhënie dhe masa konkrete për të garantuar se shteti mbetet autoriteti i vetëm legjitim për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e rendit publik”, ka përfunduar Elezi për “Bota sot”.

