Marrëveshja mes Iranit dhe SHBA-së synon t’i hapë rrugë mbikëqyrjes ndërkombëtare të programit bërthamor iranian. Specialistët vlerësojnë se, nga ana teknike, kontrollet e plota mund të realizohen, por në planin politik vazhdojnë të ketë pasiguri.
Të lidhura
None found
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, është shprehur me besim se agjencia do t’i rifillojë së afërmi inspektimet në objektet bërthamore të Iranit. Sipas tij, kjo është parashikuar në marrëveshjen kornizë të arritur së fundmi ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, edhe pse koha e saktë mbetet ende e paqartë.
“Por do të ndodhë. Nëse ndodh pasnesër, javën tjetër apo pas dhjetë ditësh, është një çështje e rëndësishme, por jo thelbësore.”
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë mbajtur një qëndrim dukshëm më të kujdesshëm. Zëvendësministri i Jashtëm Kasem Gharibabadi ka deklaruar se çështja e kontrolleve ndërkombëtare dhe e hyrjes në objektet bërthamore të goditura mund të trajtohet vetëm në kuadër të një marrëveshjeje përfundimtare me SHBA-në dhe pas përparimit lidhur me heqjen e sanksioneve.
Edhe ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara në Gjenevë ka nënvizuar se Teherani nuk e ka dhënë ende miratimin për kthimin e inspektorëve të IAEA-së.
Ekspertët theksojnë se, në aspektin teknik, një sistem i plotë kontrolli është i arritshëm, por vështirësitë më të mëdha lidhen me politikën.
Radiokimisti Georg Steinhauser nga Universiteti Teknik i Vjenës, në një prononcim për DW, shpjegon se pasurimi i uraniumit kryhet në struktura industriale të mëdha dhe lehtësisht të dallueshme. Sipas tij, është e vështirë të mendohet që dikush të ndërtojë fshehurazi një bombë atomike në një bodrum dhe gjatë inspektimit t’u tregojë kontrollorëve vetëm katin përdhes.
Procesi i pasurimit të uraniumit është tejet i ndërlikuar në planin teknik dhe industrial, pasi kërkon impiante gjigante dhe mijëra centrifuga. Pikërisht për këtë arsye, një program i tillë mund të mbahet nën vëzhgim relativisht mirë.
Edhe politologu Hessam Habibi Doroh nga Instituti për Ruajtjen e Paqes dhe Menaxhimin e Konflikteve (IFK) në Vjenë e sheh deklaratën jo detyruese të synimeve midis Iranit dhe SHBA-së si një zhvillim pozitiv. Për DW ai është shprehur se rikthimi në qendër të debatit në Iran i gatishmërisë për inspektime dhe transparencë më të madhe është një element inkurajues.
Megjithatë, ai vë në dukje se rezervat politike mbeten të forta. Sipas tij, një ligj i miratuar nga parlamenti iranian e ka kufizuar ndjeshëm bashkëpunimin me IAEA-në, ndërsa aktualisht në parlament ka zëra me ndikim që kundërshtojnë kontrollet e gjera.
Sipas IAEA-së, problemi kryesor për momentin nuk qëndron te mungesa e kapaciteteve teknike. Që prej sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor 2025, agjencia nuk ka qenë në gjendje të inspektojë asnjë nga impiantet kryesore të pasurimit të uraniumit.
Për momentin, monitorimi mbështetet kryesisht te imazhet satelitore. Për pasojë, IAEA nuk mund të konfirmojë nëse Irani e ka ndalur pasurimin e uraniumit. Gjithashtu, agjencia nuk disponon të dhëna të besueshme për vendndodhjen e rezervave ekzistuese të uraniumit apo për numrin e centrifugave që vazhdojnë të jenë në punë.
Të dhënat e IAEA-së tregojnë se Irani ende zotëron rreth 440 kilogramë uranium të pasuruar në afërsisht 60 për qind. Sipas ekspertëve, kjo sasi, nëse do të pasurohej më tej deri në 90 për qind, mund të mjaftonte për prodhimin e disa armëve bërthamore.
Teherani i hedh poshtë pretendimet se synon të ndërtojë armë bërthamore dhe këmbëngul se programi i tij bërthamor ka ekskluzivisht qëllime civile.
Për Steinhauser, pika kyçe nuk është nëse kontrolli mund të bëhet teknikisht, por sa i gjerë do të jetë aksesi i lejuar. Ai shpjegon se, nëse Irani lejon hyrje të plotë në impiantet bërthamore, atëherë mund të përcaktohet me një shkallë të lartë sigurie nëse një shtet ndjek një program civil apo ushtarak.
Shqetësimi kryesor mbetet mundësia që jo të gjitha objektet të deklarohen ose të hapen për inspektim.
Edhe Habibi Doroh vlerëson se një kontroll i plotë do të ishte i mundur, por kjo do të kërkonte rikthimin në një marrëveshje me SHBA-në të ngjashme me atë të vitit 2015, të njohur si Joint Comprehensive Plan of Action (JCPOA).
Kjo marrëveshje, e arritur me ndërmjetësimin e vendeve evropiane, i pati dhënë IAEA-së kompetenca të gjera inspektimi dhe për një kohë të gjatë është konsideruar si sistemi më i avancuar i kontrollit të një programi bërthamor kombëtar në botë. Presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga JCPOA në maj 2018 gjatë mandatit të tij të parë.
“Nëse do të riktheheshin mekanizma të ngjashëm kontrolli dhe monitorimi, një mbikëqyrje gjithëpërfshirëse do të ishte e mundur”, thotë Habibi Doroh. Por, sipas tij, nuk është e qartë nëse udhëheqja politike në Teheran mbetet ende e gatshme për lëshime të tilla.
Në disa qarqe politike dhe të sigurisë po diskutohet hapur nëse Irani, përballë konflikteve të fundit ushtarake, duhet të zgjerojë dhe jo të kufizojë opsionet e tij bërthamore.
Autorët e një analize të fundit vlerësojnë se IAEA “praktikisht e ka humbur kontrollin mbi programin bërthamor iranian”. Sipas tyre, agjencia nuk është në gjendje të verifikojë me besueshmëri sasinë e uraniumit, vendndodhjen e tij apo gjendjen e impianteve iraniane të pasurimit.
Në të njëjtën kohë, ekspertët e Carnegie Endowment for International Peace paralajmërojnë që të mos nënvlerësohen kapacitetet teknike të Iranit pas sulmeve. Edhe pse pjesë të mëdha të infrastrukturës së njohur janë dëmtuar, sipas tyre nuk mund të përjashtohet rindërtimi i mëvonshëm ose zhvendosja e disa aktiviteteve në objekte më të vogla dhe të fshehta.
“Një impiant industrial për pasurimin e uraniumit është shumë i vështirë për t’u fshehur”, thotë Georg Steinhauser. Sipas tij, këto objekte janë të mëdha, teknikisht komplekse dhe lënë gjurmë të pashmangshme për inspektorët në terren.
Kjo mbetet e vlefshme edhe në rastet kur tentohet të fshihet një pjesë e programit. Për rrjedhojë, nëse komuniteti ndërkombëtar do të mund t’i ndjekë sërish këto gjurmë në të ardhmen, kjo do të varet më pak nga aftësitë e inspektorëve dhe më shumë nga gatishmëria politike e Iranit për të lejuar kontrollin e tyre. /DW
