Hetimi që nisi për mënyrën e dhënies së tenderëve të AKSHI-t është zgjeruar ndjeshëm. Në fokusin e tij tashmë janë kompanitë private, administrata, grupet e strukturuara kriminale, si edhe lidhjet e dyshuara të këtyre hallkave me Policinë dhe SHISH-in.
Zhvillimet e SPAK më 22 shtator 2026 e çuan çështjen në një fazë të re, pasi në të u përfshi edhe emri i ish-drejtores së SHISH-it, Vlora Hyseni. Përfshirja e saj lidhet me komunikime të dyshuara me persona të botës së krimit dhe ka ngritur pikëpyetje të forta mbi sigurinë kombëtare.
Të lidhura
None found
Në qendër të dosjes janë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj. Në materialet hetimore përmenden gjithashtu ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe ish-zyrtari i Policisë, Erjon Ismaili.
Më 24 shtator 2026, GJKKO vendosi ndaj Vlorë Hysenit masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra. Sipas SPAK-ut, ajo po hetohet për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të të dhënave sekrete.
Materialet e publikuara nga mediat, që u referohen dokumenteve të SPAK-ut, e vendosin theksin te numri dhe përmbajtja e komunikimeve mes Hysenit dhe Agasit, si edhe te fakti që këto kontakte vazhduan kur Agasi ishte në kërkim. Në dhjetor 2025, SPAK caktoi masa sigurie ndaj disa personave, ndërsa Agasi dhe Beqiraj u shpallën në kërkim. Agasi u arrestua në Shqipëri më 26 gusht, kurse Beqiraj u arrestua në Francë më 28 korrik 2026.
Edhe Mirlinda Karçanaj rezulton nën hetim. Më 16 dhjetor 2025, ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t u vendos masa “arrest në shtëpi”, e cila pas disa javësh u zëvendësua me “detyrim paraqitje”.
Si pjesë e dosjes “AKSHI”, prokurorët Altin Dumani dhe Bledar Maksuti urdhëruan edhe ekzekutimin e dy masave të tjera të sigurisë: arrestimin e Fatjon Kalluçit, shef sektori në Policinë Shkencore, dhe të Embro Sulejmanit, punonjës në shoqërinë “Agroturizëm Kodra e Kuajve” në Durrës.
Kalluçi akuzohet për zbulim të akteve ose të të dhënave sekrete, ndërsa Sulejmani për përkrahje të autorit të krimit.
Një kthesë e rëndësishme në hetim ishte përfshirja e historisë së biznesmenit Gerond Meçe.
Më 12 gusht 2025, Meçe u largua nga banesa e tij në Tiranë. Sipas dëshmisë që ka dhënë në SPAK dhe që përmendet në dosjen hetimore, pranë tij ndaloi një automjet “Land Rover Defender” me fenelina policie. Persona të veshur me elementë të ngjashëm me uniformat e Policisë dhe BKH-së iu paraqitën si punonjës të drejtësisë dhe i kërkuan të hipte në makinë.
“Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne, hyr në makinë”, i tha njëri prej tyre, sipas dëshmisë së Meçes.
Pas disa minutash, biznesmeni kuptoi se nuk ndodhej përballë një arrestimi zyrtar. Atij iu vendos një kapuç në kokë dhe automjeti u drejtua për nga Kërraba e më pas Elbasani.
Në zonën e Gracenit, rrëmbyesit i kërkuan kodin e telefonit dhe i treguan dokumente që, sipas tij, e lidhnin pengmarrjen me aktivitetin e kompanisë së vet në tenderët e AKSHI-t. Bëhej fjalë për procedura për të cilat shoqëria kishte paraqitur ankime në Komisionin e Prokurimit Publik.
Kërkesa që iu bë ishte të hiqte dorë nga ankimimet dhe të mos merrte më pjesë në garë. Meçe ka deklaruar se e kuptoi se ishte rrëmbyer edhe sepse personat që ishin prezantuar si punonjës të BKH-së nuk dinin t’i vendosnin prangat.
Pasi pranoi të tërhiqej nga ankimimet, ai u la i lirë në një zonë rurale të qarkut të Elbasanit. Pas gjashtë orësh pengmarrje, e zbritën pranë rrethrrotullimit që të nxjerr në autostradën Tiranë-Elbasan, në afërsi të Bradasheshit. Njëri prej tyre e kërcënoi me fjalët: “Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundër do të vrasim ty, grua, motër, nënë. Se baba ti nuk ke”.
Sipas dyshimit të SPAK-ut, rrëmbimi ishte pjesë e një mekanizmi që synonte largimin e një rivali nga procedurat e prokurimit. Në këtë linjë janë përmendur Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, ndërsa hetuesit po përpiqen të përcaktojnë edhe rolin e personave të tjerë.
“Në momentin që ankimimet e shtetasit Gerond Meçe, në cilësinë e ortakut të shoqërisë ‘Advanced Business Solutions-ABS’, krijuan një mekanizëm bllokues për përfundimin e procedurave të prokurimit pranë AKSHI-t, ai u mor peng forcërisht, duke e detyruar të heqë dorë nga të gjitha procedurat e ankimuara”, thuhet në dosjen e SPAK-ut.
Prokuroria vlerëson se tërheqja e Meçes nga ankimimet në KPP do t’u krijonte lehtësi të mëdha Agasit dhe Beqirajt për vijimin e aktivitetit kriminal në prokurimet publike. Sipas SPAK-ut, në disa raste ky aktivitet ishte penguar nga ankesat e shoqërisë “Advanced Business Solutions-ABS”.
Analiza e pamjeve filmike dhe e bisedave të transkriptuara ka krijuar, sipas prokurorëve, dyshimin për një skemë të paracaktimit të procedurave, krijimit të avantazheve dhe përfitimit të paligjshëm. Në disa komunikime përmenden shprehje si “projekti bën 2 milionë, ne do ta bëjmë 4” dhe “Nuk futet as në eksperiencë”, të cilat, sipas SPAK-ut, lidhen me caktimin e kritereve të tenderëve dhe vlerave të kontratave që do të publikoheshin.
Emri i Erjon Ismailit shfaqet në linjën që prek Policinë. Meçe ka deklaruar se, para pengmarrjes, zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, i pezulluar nga detyra, e kishte paralajmëruar të qëndronte larg tenderëve të AKSHI-t. Kjo dëshmi është përdorur për të hetuar lidhjet e tij me grupin e dyshuar. Në dhjetor 2025 u raportua se ndaj Ismailit ishte vendosur pezullim nga detyra.
Sipas akuzave, çështja nuk lidhej vetëm me kompanitë që garonin për kontratat publike, por përfshinte një trekëndësh mes biznesit, administratës dhe Policisë. Në faqen 31 të materialit të SPAK-ut përmendet një bisedë mes Ergys Agasit dhe Ermal Beqirajt për dy tenderë në procedurë, ku del edhe kompania “ABS” e Gerond Meçes. Nga komunikimi rezulton shqetësimi i personave nën hetim për praninë e kësaj kompanie në garë.
Një kapitull tjetër i dosjes lidhet me komunikimet e Agasit me drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni. Materialet e sekuestruara gjatë hetimit, veçanërisht pas zbërthimit të telefonit të Agasit, i cili u arrestua në Durrës, kanë nxjerrë qindra telefonata, mesazhe dhe videocall-e mes tyre gjatë kohës që ai ishte në kërkim.
Disa prej kontakteve datojnë nga fundi i qershorit deri në ditët para arrestimit të Agasit më 26 gusht 2026. Në komunikime shfaqen edhe thirrje personale si “zemër” dhe “shpirt”. Në raste të tjera, Hyseni i ka përcjellë Agasit të dhëna për takime dhe lëvizje të saj zyrtare.
Në një mesazh të bërë publik, Hyseni i shkruan se duhet të takohet me “KM”-në. Në një tjetër ajo përmend një takim me drejtuesin e Policisë së Shtetit dhe shpresën se ky i fundit kishte marrë porosi nga kryeministri. Këto kontakte janë përfshirë në linjën e re të hetimit.
Kështu, dosja e AKSHI-t dhe ajo që lidhet me Hyseni-Agasin paraqiten si dy kapituj që ndërthuren. Njëra pjesë lidhet me dyshimet për manipulim të konkurrencës në tenderët publikë dhe me pengmarrjen e një biznesmeni për ta detyruar të tërhiqte ankimimet. Pjesa tjetër lidhet me një person në kërkim që vazhdonte të komunikonte me drejtuesen e SHISH-it dhe, sipas materialeve të publikuara, merrte prej saj informacion mbi veprimtarinë zyrtare.
Në këtë rrjet përmenden Ermal Beqiraj, Mirlinda Karçanaj dhe Erjon Ismaili, ndërsa Ergys Agasi paraqitet si pika që lidh disa prej episodeve. Beqiraj shfaqet si një prej emrave kryesorë të biznesit në skemën e hetuar; Karçanaj si hallka institucionale në AKSHI; Ismaili në linjën që prek Policinë; ndërsa Meçe si biznesmeni që, sipas dosjes, u vu nën presion për t’u larguar nga gara dhe për të hequr ankimimet. Vlora Hyseni është bërë pjesë e hetimit për shkak të komunikimeve me Agasin dhe dyshimeve që lidhen me informacionin e klasifikuar.
SPAK-u, në përshkrimin e skemës së dyshuar të korrupsionit dhe pastrimit të parave në tenderët e AKSHI-t, përmend Agasin, Karçanajn, Beqirajn dhe një rrjet kompanish të lidhura me ta. Sipas dosjes, mekanizmi dyshohet se mbështetej te tenderë të paracaktuar, fatura fiktive dhe kalimi i fondeve publike te shoqëri të kontrolluara nga personat nën hetim.
Në bazë të hetimit dhe vendimit të GJKKO-së për sekuestrimin, gjatë viteve 2023-2025 Agasi dyshohet se ka përfituar mbi 9 milionë euro në formë ryshfeti për ndikimin e tij në paracaktimin e tenderëve të AKSHI-t.
Prokurorët dyshojnë se Ergys Agasi, Ermal Beqiraj dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar kanë kryer veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, në kuadër të një formacioni të posaçëm, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe vepra penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Për Mirlinda Karçanajn, SPAK-u përmend dyshimet për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, të kryer në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, si edhe për “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Dokumentet hetimore tregojnë se në këtë histori është përmendur edhe ish-ministri Damian Gjiknuri. Në komunikimet e 06.03.2019 me ish-deputetin Alqi Bllako, Ergys Agasi flet për një “situatë” ku Gjiknuri dyshohet se kishte krijuar “pengesa” për realizimin e përfitimeve të paligjshme të grupit.
SPAK-u ka identifikuar si Elgerti Bixha personin e referuar në biseda me emrin “Labi”. Sipas dosjes, Agasi synonte ta emëronte Bixhën administrator të një shoqërie private që kishte fituar një koncesion me ministrinë e drejtuar në atë kohë nga Gjiknuri.
Hetimi thekson se Gjiknuri shihej si pengesë për këto përfitime dhe se në komunikime diskutohej për mënyra të tjera presioni me qëllim eliminimin e saj. Në një mesazh të datës 06.03.2019, ora 21:54:43, Agasi shkruan: “Do ja *i robt, do fusim çunat pastaj”.
Sipas SPAK-ut, kjo shprehje interpretohet si referencë ndaj përdorimit të lidhjeve me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore për të ushtruar trysni dhe për të hequr pengesat ndaj interesave të grupit.
Dosja e lidh këtë episod me pengmarrjen e Gerond Meçes dhe thotë se i njëjti “modus operandi” ishte përdorur më herët edhe ndaj ish-ministrit Gjiknuri, përmes ankesave të shumta në KPP, me synim bllokimin e procedurave të prokurimit pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
SPAK-u vlerëson se krijimi i qëllimshëm i pengesave administrative, presioni dhe përdorimi i rrjeteve informale përbëjnë një skemë të qëndrueshme kriminale, të ndërtuar mbi të njëjtën mënyrë veprimi.
