Nesër Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Berisha, Floriana Garo zbulon detajet (VIDEO)

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, i organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha do të mblidhet nesër në orën 10:00. Kuvendi do të mbahet në Pallatin e Kongreseve.

Zëdhënësja e Komisionit të Rithemelimit, Floriana Garo në një deklaratë për shtyp nga selia blu bëri të ditur se do të ketë shumë diskutantë, përfshirë kontributorë të PD, themelues, por edhe prurje të reja. Garo tha gjithashtu se verifikimi i delegatëve do të bëhet në mënyrë elektronike si në atë të 11 Dhjetorit.

Sakaq, Komisioni i Rithemelimit ditët e fundit ka organizuar zgjedhjet me një anëtar një votë, në 70 degë të partisë.

Nga ana tjetër, Kuvendi i ditës së nesërme është cilësuar si ilegjitim nga Enkelejd Alibeaj, i cili u komandua si kryetar në detyrë pas dorëheqjes së Lulzim Bashës.

Gjyqtari Agron Zhukri certifikoi Komisionin e Rithemelimit dhe prej javësh ky organ ka marrë drejtimin e PD-së. Ndërkohë, Alibeaj ka ankimuar këtë vendim dhe pritet një tjetër vendim gjykate që do të përcaktojë drejtuesin përfundimtar të partisë më të madhe opozitare në vend.