Takimi i zyrtares së DASH me Ramën e Alibeajn, reagon ambasada e SHBA

Ambasada Amerikane në Tiranë zbardh takimet e dy zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilët dje dhe sot u takuan me aktorë të rëndësishëm të politikës në Shqiperi.

Bëhet me dije se qëllimi ishte thellimi i partneritetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si miq, aleate në NATO dhe anëtare në Këshillin e Sigurimit. Gjithashtu SHBA shprehu mbështetjen për integrimin sa më parë të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Si pjesë e vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor, Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ishin në Shqipëri në 28 dhe 29 prill. Ata u takuan me Kryeministrin Edi Rama, ministra të ndryshëm, dhe drejtuesit e opozitës. Qëllimi i vizitës së tyre ishte thellimi i partneritetit tashmë të fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si miq, aleate në NATO dhe anëtare në Këshillin e Sigurimit së Kombeve të Bashkuara, sidomos teksa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve tona dypalëshe. Ata rikonfirmuan mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxitën vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi; mirëpritën përpjekjet e fundit për të diversifikuar burimet, furnizimet dhe rrugët e energjisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon; dhe nënvizuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ata theksuan gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të një opozite të fortë në demokracinë e Shqipërisë, theksuan rëndësinë e institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit dhe shprehën shpresën për një partneritet të efektshëm dhe që sheh përpara me popullin shqiptar, duke përfshirë edhe partitë që i përfaqësojnë ata”, shkruan Ambasada amerikane në Tiranë teksa shpërndan fotografi nga takimet.