Osman Stafa shkoi në Shtëpinë Sociale në Shkozë, ku e moshuara dhe i biri po qëndronin prej mbrëmjes së kaluar. Ai vuri në dukje kushtet e papërshtatshme të kësaj strehimore, ndërsa nëna rrëfeu se më mirë do të ishte në banesën e saj, që sapo kishte marrë ujë.
Gjatë bisedës, ajo sqaroi se të enjten nuk kishte marrë pjesë në protestë, por po kthehej nga Kamza bashkë me djalin që po e çonte në seancë terapie. Për shkak të bllokimit të rrugës, u gjend rastësisht para Parlamentit, ku i hodhën piper në sy. Pjesëmarrjen në tubimet e tjera e justifikoi me nevojat e veta personale.
Të lidhura
None found
Stafa zbuloi se djali 19-vjeçar nuk përfiton nga dyfishimi i ndihmës sociale që përmendi kryeministri. Legjislacioni në fuqi parashikon këtë mbështetje vetëm për fëmijët nga lindja deri në 18 vjeç, prandaj i riu mbetet jashtë skemës. “Kryeministri ka gënjyer”, theksoi gazetari.
E pyetur për deklaratën e Ramës, nëna kërkoi që të mos përdoret i biri për retorikë politike dhe shtoi se kryeministri duhet të përballet me të. Ai e quan “gjynah” trajtimin e djalit me dhunë e piper dhe ftoi Ramën të vijë ta shohë vetë gjendjen e tyre.
Gjatë takimit, gazetari e lajmëroi se qytetarët shqiptarë kishin grumbulluar 120 mijë euro për të ndihmuar familjen. “Ju falënderoj nga zemra!”, u shpreh e moshuara.
Mbyllja e reportazhit erdhi me komentin e Stafës: “Nuk e di si mund të gënjesh në mënyrë kaq të hapur, por kur gënjeshtra bëhet zakon, nis ta besosh si të vërtetë – dhe ky është fundi i njeriut.”
