Në kërkim ndërkombëtar, arrestohet në Morinë 50-vjeçari nga Serbia që tentoi të hynte në Shqipëri

Një 50-vjeçar nga Serbia i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania, ka rënë në prangat e policisë në Morinë, pasi tentoi të hynte në Shqipëri.

Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.

Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Berlin, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht I. B., 50 vjeç, banues në Serbi.

Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 50-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Berlin, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i sendeve të vjedhura”, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, në formën e grupit kriminal, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Gjermanisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e 50-vjeçarit.