Ndërtimet pa leje në bregdet, Rama-policisë: Të nisë tani aksioni nga Velipoja në Sarandë

Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për media ku foli për mbrojtjen e territorit nga ndërtimet pa leje, u bëri thirrje efektivëve të policisë të nisin tani aksionin nga Velipoja në Sarandë. Rama paralajmëroi se aty ku do të hidhet beton pa leje, të ketë jo vetëm prishje po ndalime e procese penale në bazë të ndryshimeve të reja ligjore.

“Të niset operacion nga Velipoja në Ksamil dhe tani jo në mesin e verës kur të vijnë turistët. Pa asnjë tolerancë, dhe jo duke shkuar te ndërtime që janë bërë para 20 vitesh, sic ndodhi në Zvërnecit, po duke shkuar aty ku është e qartë fare. Jo duke u marrë me njerëzit që janë aty prej 25 vitesh e përsa kohë nuk ka një plan tjetër të vijojnë të bëjnë ato shërbime për turistët. Po duke shkuar e duke vendosur një vijë të kuqe, që nuk duhet shkelur nga askush. Aty ku hidhet beton pa leje, të ketë jo vetëm prishje po ndalime e procese penale në bazë të ndryshimeve të reja ligjore. Tani penalizohet i gjithë zinxhiri, mbikëqyrësi i punimeve, arkitekti,  janë të gjithë pjesë. Kulmi që s’duhet të lejojë policia e shtetit gjallë, prishet nga shteti me shpenzimet e shtetit, e pastrohet nga shteti. Kjo s’duhet të ndodhë më. Nëse nuk i përballojnë ka kosto të tjera që duhet ti kenë në kurriz.

Besoj se shumë shpejt kjo situatë do të kalojë në një fazë të re, sepse është bërë një punë e madhe, por e pamjaftueshme. Kostot janë të tmerrshme për ndërtimet.

Kulmi i kulmit që s’duhet ta lejojë më kurrë Policia e Shtetit, që prishet nga shteti, me shpenzimet e shtetit dhe pastrohet nga shteti. Ligji është i qartë fare, ata që e kanë bërë, duhet të përballojnë edhe të gjitha kostot e tjera. Nëse nuk i përballojnë, atëherë ka pasoja të tjera, që do t’i kenë në kurriz.” tha Rama.


Shtuar 14.05.2021 12:29