Ndahet nga jeta gjenerali dhe komandanti i të gjitha rangjeve ushtarake Naim Muhaj

Komandanti Naim Muhaj është ndarë nga jeta në moshën 81 vjeçare në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë. Muhaj njihej dhe si “Komandant i të gjitha rangjeve ushtarake” për shkak të detyrave të larta që ka mbajtur gjatë viteve të shërbimit të tij.

Prej vitit 2018, komandant Naim Muhaj mbante dhe titullin “Qytetar Nderi” i Tepelenës, zonë nga e cila ishte ndhe me origjinë, me motivacion “ Për kontributin dhe cilësitë e larta të tij si kuadër i devotshëm në funksionin e çështjes së madhe të atdheut duke rritur kështu emrin e krahinës së Lopësit.”

Ai mbylli sytë përgjithmonë mëngjesin e sotëm, në moshën 81 vjeçare. Homazhet në nderim të tij do zhvillohen sot, datë 27.05.2021 ora 11.30 – 13.30 në Agjensinë funerale ALBA, ndërsa përcjellja për në banesën e fundit bëhet në orën 14.00 në varrezat e Sharrës.

Shkrim për Naim Muhaj, për 80 vjetorin e lindjes nga Ushtria:

Muhaj kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në vitet 1957- 1960, pas të cilave u titullua me gradën Oficer. Më pas shërbeu në ishullin e Sazanit, në bazën ushtarake të gjirit të Vlorës dhe në shkollën e Instruksionit të Korpusit të Fierit deri në vitin 1969.

Për dy vitet në vazhdim kreu studimet në Akademinë Ushtarake. Në 8 vitet në vijim, Muhaj u emërua dhe shërbeu si komandant i ishullit të Sazanit. Në vitet 1979-1982 u emërua komandant i Korpusit të Tiranës dhe nga viti 1983 deri në vitin 1986, shërbeu si komandant i Divizionit në Lushnjë. Në vitin 1986 u dënua për motive politike, ku vuajti dënimin deri në vitin 1990, vit kur mori pafajësinë dhe filloi punë sërish në Ushtri, si Inspektor i Ministrit të Mbrojtjes, detyrë që e kreu deri në moshën e daljes në pension, në vitin 1999.

Me daljen nëpension komandant Naimi u organizua në shoqata për të cilat ka ngritur zërin dhe u ka dhënë forcë për mbrojtjen e të drejtave të ish-ushtarakëve dhe për gjallërimin e aktivitetit të tyre.

Në ishullin e Sazanit ka punuar 15 vjet. Për herë të parë ka shkelur në vitin 1960. Karrierën ushtarake e ka nisur komandant toge, duke qëndruar 7 vite në këtë detyrë. Kur mbaroi Akademinë, kthehet përsëri në këtë njësi, por në funksionin e komandantit, detyrë që e kreu për 8 vite.


Shtuar 27.05.2021 08:31