“Nata e Gjykimit”, City favorit e kërkon për herë të parë trofeun, Inter ka historinë nga pas

Pas dhjetë muajsh, duke luftuar në turet eliminatore, “play off”-e, fazën në grupe dhe fazën e eliminimeve direkte, kompeticioni më i rëndësishëm në nivel klubesh në Europë ka mbërritur në stacionin e fundit, Champions League sonte në Stamboll diskuton finalen mes Interit dhe Manchester Cityt.

Anglezët nuk janë surprizë me atë çfarë kanë treguar në sezonet e fundit, por edhe Inter tregoi se e meritoi të ishte këtu, pasi eliminoi skuadra të forta. Skuadra e Pep Guardiolës është në prag të një triplete, asaj që arriti Inter 13 vjet më parë, teksa eliminoi në gjysmëfinale pikërisht trajnerin spanjoll, që atëherë drejtonte Barcelonën.

Ndërsa zikaltrit sonte luajnë për dopietë pas triumfit në Kupë. Natyrisht, City është favorit, kjo nisur nga përbërja e skuadrës, me shumë yje brenda, me një Haaland që duket i uritur për të lënë shenjën e tij edhe në këtë finale të madhe, teksa anglezët duan ta fitojnë për herë të parë.

Ndërsa Inter ka historinë, e ka fituar edhe 3 herë të tjera Champions, pa harruar grintën zikaltër, katenaçon italiane, por edhe kundërsulmin vrastar me Luataron apo Xhekon. Kjo është hera e pestë që përplaset në finale një ekip anglez me një italian dhe bilanci është 2-2.

Në katër rastet ka qenë Liverpool, tashmë është radha e Cityt të tregojë forcën, edhe për Inter është hera e parë që ndeshet në finale me ekip anglez nga pesë finalet që ka diskutuar në Champions League.


Shtuar 10.06.2023 11:12