“Mrekulli” gjatë natës! Reshjet e dendura të shiut shuajnë zjarret në vend

Mbrëmjen e kaluar Shqipërinë e përfshinë reshje të dendura shiu. Në një kohë ku reshjet e shiut po mungonin prej ditësh dhe zjarret ende ishin një problem serioz, në vend ndodhi mrekullia.

Zjarret në Kukës dhe Tropojë, të cilat ishin aktive prej ditësh, janë shuar nga reshjet e shiut.

Mbrojtja Civile e Kukësit ka njoftuar se me nisjen e shiut vatra e zjarrit që ka ardhur nga Srriqja në Majën e Zezë nuk ka asnjë shenjë për vatër aktive dhe asnjë gjurmë tymi.

“Njoftim i Komisionit te Mbrojtjes Civile Prefektura Kukes. Situata në Qarkun Kukës deri në orën 08:00 dt.26.08.2021.Kanë filluar reshje e shiut që në orën 06:30 në gjithë territorin e Qarkut Kukës. Si rezultat i reshjeve që vazhdojnë të bien –Vatra e zjarrit e cila ka ardhur nga Srriqja territor i bashkisë Fushë Arrës në vendin e quajtur Maja e zezë nuk ka shenja për vatër aktive dhe nuk ka as gjurmë tymi. Vazhdojnë reshjet e shiut .Situata në bashkitë Tropojë e Has është e qetë”.

Vatrat e zjarrit në vend kanë vijuar prej 31 ditësh. U desh që të binte shi në mënyrë që të shuheshin të gjitha ato që ishin aktive. Më të rrezikuarat kanë qënë: Maja e Rrunës, Karaburuni, Tuneli i Kalimashit dhe vatra të tjera në zonë të thella. /albeu.com/

 

 


Shtuar 26.08.2021 09:24