Motori i “Shqiponjave” futet me të kuq dhe shkakton aksident te Komuna e Parisit, momenti kur efektivët bien përtokë (VIDEO)

Një aksident i Forcave Shqiponjave që ka ndodhur të dielën mbrëma në kryeqytet, ka kaluar pa u raportuar nga Policia e Shtetit. Aksidenti ka ndodhur pas një manovre të rrezikshme të motorit të Shqiponjave, që ka hyrë pa respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.

Dëshmitarë rrëfyen sesi motori i Forcave Shqiponjave hyri me të kuqe dhe më pas u përplas me një makinë që ishte duke ecur në korsinë që kishte marrë drejtimin. Ngjarja ka ndodhur pak metra pasi kalon kryqëzimin tek Komuna e Parisit.

Për pasojë, 2 efektivët e Policisë janë në spital, njëri prej tyre me fraktura më të rënda, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Por përtej ngjarjes, ajo që e bën edhe më të rëndë rastin është fshehja që Policia e Shtetit i ka bërë aksidentit. Në asnjë nga komunikatat e përditshme të Policisë nuk është raportuar aksidenti, masat e ndjekura dhe nëse ka patur një vullnet për të gjetur fajtorët e përplasjes. Pse Policia i kurseu efektivët e vet në raport me qytetarët e thjeshtë?

Shtuar 22.07.2021 11:45