Pas 3 orësh në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj ka dalë nga godina.
Karçanaj zgjodhi të mos prononcohej për gazetarët para SPAK-ut, teksa ajo u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të një hetimi për abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton.
SPAK po heton 12 procedura tenderuese me vlera të larta, të lidhura me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve shtetërore. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se kriteret e këtyre tenderave janë hartuar në mënyrë të tillë që t’i favorizonin kompanitë që garonin, duke u krijuar mundësinë të fitonin kontrata me miliona euro.
Një nga biznesmenët që po hetohet është Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, i cili është marrë më herët në pyetje në SPAK në kuadër të kësaj çështjeje.
Gjatë ditëve të fundit, hetuesit kanë thirrur rreth 25 zyrtarë të AKSHI-t, mes tyre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, për të sqaruar rolin e tyre në procedurat e dyshuara.
AKSHI, institucion përgjegjës për shërbimet IT të administratës publike, prej kohësh është në qendër të akuzave për tendera të parregullt. Pak kohë më parë, ish-zyrtari Daniel Shima u zhduk për rreth 10 orë, menjëherë pasi kishte dhënë dëshmi në SPAK për tenderat e dyshuar, ngjarje që ngriti dyshime dhe alarmoi familjarët e tij.
Hetimet për skemën e dyshuar të korrupsionit vijojnë.
