Metju Palmer: Maqedonia e Veriut bëri gjithçka që BE-ja kërkoi prej saj (VIDEO)

Duam ta shohim të gjithë rajonin në Bashkimin Evropian, por kornizën kohore për realizimin e kësaj, e kontrollojnë vetë shtetet, tha përfaqësuesi special i SHBA-ve për Ballkanin, Metju Palmer në intervistë për TV21.

Sipas tij, shtetet duhet t’i plotësojnë kriteret, por për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë tha se është shumë e rëndësishme që BE-ja t’i plotësojë detyrat e saj ndaj tyre. Korniza ideale kohore për një gjë të tillë, siç u shpreh, janë disa muajt e ardhshëm.

“Maqedonia e Veriut bëri gjithçka që BE-ja kërkoi prej saj. Merituan që t’i fillojnë negociatat aderuese me BE-në. E merituan konferencën e parë ndërqeveritare. BE-ja duhet të gjejë mënyrë që ta mundësojë këtë, ta hapë rrugën dhe ta fillojë konferencën ndërqeveritare. Ne presim që BE-ja ta marrë këtë me seriozitet dhe të veprojë në mënyrë adekuate”, tha për TV21, Metju Palmer – Përfaqësues Special i SHBA-ve për Ballkanin.

Marrëveshja e Prespës është shembull i mirë për zgjidhjen e kontesteve bilaterale, tha Palmer. Liderët e Ballkanit duhet të marrin përgjegjësi dhe guxim për zgjidhjen e çështjeve por njëkohësisht t’i mbrojnë interesat e qytetarëve të tyre.

“Përmes Marrëveshjes së Prespës pamë lidership në Shkup dhe Athinë. Ishin të gatshëm të ndërmarrin rrezik, të diskutojnë për problemet e ndërlikuara, ta gjejnë kompromisin e nevojshëm, të arrijnë kompromis dhe ta mbrojnë para popullit të vet. Kjo është e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë, për negociatat që udhëhiqen në Bosnjë dhe Hercegovinë. Lidershipi dhe liderët janë të rëndësishëm për Ballkanin në të gjitha situata konfliktuoze”, shtoi Palmer.

Nëse pret ndryshime të mëdha në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë dhe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, Palmer u përgjigj:

“Gjithçka varet nga palët e prekura. Ne duam t’i motivojmë ta gjejnë kompromisin e duhur për progres dhe të kuptojnë se kjo është për interesin e tyre. Jam i bindur se Sofja dhe Shkupi do të gjejnë zgjidhje për çështjet që e bllokojnë përparësinë e RMV-së drejt BE-së. Jam i bindur se mund të zgjidhen këto çështje. BE-ja duhet të gjejë mënyrë që ta tregojë përkushtimin e saj ndaj këtyre shteteve, t’ua hapë rrugën dhe t’i fillojë konferencat ndërqeveritare. Kjo është detyra e BE-së të cilën duhet ta realizojë”, deklaroi për TV21, Përfaqësuesi Special i SHBA-ve për Ballkanin, Metju Palmer.

Palmeri thotë se vizioni për të ardhmen e SHBA-ve është identik me atë të vendeve të Ballkanit – integrimi i plotë në BE. Kjo sipas tij do të thotë anëtarësim në BE i të gjitha vendet të Ballkanit Perëndimor si dhe anëtarësim në NATO për të gjitha vendet që synojnë të jenë pjesë e Aleancës.


Shtuar 4.07.2021 08:53