“Më i transmetueshëm, por më pak i ashpër”, OBSH: Omicron është identifikuar në 57 vende të botës

Sipas studimeve të fundit, varianti i ri i Covid-19, Omicron, është më i transmetueshëm, por më pak i ashpër. Që do të thotë më pak i rrezikshëm se variantet e tjera.

OBSH ka bërë të ditur se Omicron është identifikuar në 57 vende të botës.

Ekspertët theksojnë faktin se numri i rasteve të regjistruara me koronavirus po rritet me shpejtësi në Afrikën Jugore.

Edhe pse “nuk dihet se çfarë e shkakton këtë fenomen”, ka mundësi që ai të jetë shkaktuar nga përhapja e Omicron në këtë rajon si dhe nga shtimi i testeve diagnostikuese për praninë e koronavirusit pasi ky variant në fillim u karakterizua si shqetësues.

Sipas OBSH-së, nevojiten më shumë informacione për të vlerësuar efektivitetin e vaksinave kundër llojit Omicron.

“Ka nevojë për më shumë të dhëna për të vlerësuar nëse mutacionet e pranishme në variantin Omicron mund të rezultojnë në mbrojtje të reduktuar kundër imunitetit të shkaktuar nga vaksina, si dhe të dhëna për efikasitetin e vaksinës, duke përfshirë përdorimin e dozave shtesë të vaksinës,” thonë ekspertët. Theksohet se “OBSH do të vazhdojë të punojë me partnerët për të monitoruar dhe vlerësuar këto të dhëna sapo të vihen në dispozicion”. /albeu.com


Shtuar 8.12.2021 12:15