Tensione në Eurovision? Publiku ndërpret performancën e Izraelit me thirrje politike

Performanca e Izraelit në gjysmëfinalen e parë të Eurovision Song Contest 2026 është shoqëruar me tensione dhe reagime të forta nga publiku, duke rikthyer në vëmendje debatet rreth pjesëmarrjes së shtetit izraelit në konkursin europian të muzikës.

Gjatë interpretimit të përfaqësuesit izraelit Noam Bettan, në sallë janë dëgjuar thirrje si “Stop gjenocidit” dhe “Liri Palestinës”. Edhe pse në transmetimin live zhurmat nuk u dëgjuan qartë gjatë gjithë performancës, disa thirrje u kapën në momentet e para të këngës.
Në rrjetet sociale, veçanërisht në platformën X, përdorues të shumtë pretenduan se artisti është pritur dhe përcjellë me fishkëllima nga një pjesë e publikut në sallë. Disa persona që thanë se kanë qenë të pranishëm në event publikuan video ku reagimet dëgjohen më qartë, duke ngritur dyshime se audio e transmetimit mund të jetë filtruar ose zbutur gjatë live-it televiziv.

Të lidhura

None found

Noam Bettan përfaqësoi Izraelin me këngën “Michelle”, të interpretuar në hebraisht, frëngjisht dhe anglisht. Pas performancës, kamerat u fokusuan te mbështetësit izraelitë në publik, ndërsa diskutimet në rrjet vazhduan me intensitet.

Pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision këtë vit ka shkaktuar polemika të shumta për shkak të luftës në Gaza. Në rrjet dhe media është rikthyer edhe krahasimi me rastin e Rusisë, e cila u përjashtua nga Eurovisioni pas nisjes së luftës në Ukrainë, ndërsa shumë komentues po pyesin pse nuk është ndjekur i njëjti standard edhe këtë herë.


Shtuar 13.05.2026 11:20